​Ibishi: Vuçiq e di se ku është kufiri me Kosovën
Sharr Travel

​Ibishi: Vuçiq e di se ku është kufiri me Kosovën

Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi e konsideron të qëlluar, por të vonuar, vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat me Serbinë.

Ai në InfoBox në RTV Dukagjini tha se situata në veri mund të jetë e rrezikshme sidomos gjatë natës ku sipas tij një incident i vogël mund të sjellë deri në eskalimin e situatës.

“Protestuesit serbë po vazhdojnë të provokojnë policinë e Kosovës, mendoj se kjo mund të jetë e rrezikshme dhe të shkaktohet ndonjë incident i paparashikueshëm. Ata janë shumë të strukturuar dhe jo rastësisht janë grumbulluar menjëherë. Policia e Kosovës ka kapacitete që të reagojë”, tha ai.

Ibishi thotë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e di se ku është kufiri me Kosovën dhe e di se me kë do të ndeshet aty.

“Vuçiq ka thirrur pa kurrfarë nevoje këshillin e sigurisë kombëtare serbe sot duke i ftuar forcat ushtarake e policore, xhandarmërinë që të lëvizë deri në kufi me Kosovën. Vuçiq e di se ku është kufiri me Kosovën dhe e di se deri ku mund të shkojë, dhe e di se kush e mbron dhe e di se me kë do të ndeshet aty. Ata e kanë pësuar njëherë nga NATO, nëse vijnë mund ta pësojnë edhe njëherë tjetër”, tha Ibishi.