Efektet e çikores kundër diabetit, mënyrat më të mira të përdorimit
BKT
Lifestyle

Efektet e çikores kundër diabetit, mënyrat më të mira të përdorimit

Çikorja është nga bimët e egra më të dashura për konsumatorët dhe më të mirat për shëndetin e tyre. Kjo bimë që rritet kudo dhe çel lule të bukura ngjyrë bojëqielli.

Njerëzit kanë shfrytëzuar vetitë e jashtëzakonshme të çikores në mjekësinë tradicionale për të përmirësuar mëlçinë, shëruar stomakun nga dhimbjet, qetësuar nervat, rregulluar rrahjet e zemrës, dhe kuruar osteoartritin dhe diabetin.

Çikorja kundër diabetit
Sa i përket këtij të fundit, dy studime të reja të cilave u referohet AgroWeb.org tregojnë se konsumi i rregullt i zhardhokut të çikores (pjesa e rrënjës) ndihmon në uljen e nivelit të glukozës në gjak tek njerëzit që rrezikohen nga diabeti i tipit dy. Kjo rrënjë është mirëbërëse edhe për njerëzit që janë në fazat e para të diabetit të cilët kanë nevojë të ulin sasinë e sheqerit të konsumuar dhe të humbasin në peshë.

Çikorja ndihmon të eliminojë qelizat yndyrore në mëlçi dhe në muskuj por edhe përmirëson sekretimin e insulinës pas vaktit. Nga ana tjetër fibra që gjendet tek bima është shumë e mirë për shëndetin e stomakut, thonë ekspertët. Ata shpjegojnë se sasitë e larta të fibrës tek çikorja ndihmojnë kundër kolesterolit, rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe përmirësojnë tretjen. Zhardhoku është shumë i pasur edhe me prebiotikë që ushqejnë dhe mbrojnë mikrobiomën në stomak.

Si të konsumoni zhardhokun e çikores
Ky zhardhok ka shije të hidhur dhe pikante. Ai mund të zihet dhe të hahet si një perime duke e marinuar me kripë, vaj e limon. Sipas dëshirës, ju mund ta prisni zhardhokun në feta e t’i piqni ato në furrë ose në skarë me pak yndyrë, kripë, limon e erëza.