Kosova do ta përmirësojë sistemin e saj të ndihmës sociale
Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore në Washington DC ka aprovuar Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale për Kosovën, i cili synon ta përmirësojë paanshmërinë dhe përshtatshmërinë e programeve të ndihmës dhe mbrojtjes sociale të vendit.
Mbështetja financiare e miratuar për këtë projekt është 47 milionë euro (55.9 milionë dollarë), kredi koncesionare. Periudha e shlyerjes së kredisë për këtë projekt është 30 vjet, duke përfshirë një grejs-periudhë pesëvjeçare.
"Kosova e ndan një pjesë të rëndësishme të buxhetit të saj për programet e mbrojtjes sociale, por efikasiteti dhe ndikimet rishpërndarëse të këtyre programeve mund të përmirësohen, veçanërisht në kontekstin e COVID-19”,tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. "Banka Botërore i mbështet përpjekjet e Kosovës për ta reformuar Skemën e Ndihmës Sociale, në mënyrë që ajo të jetë më e paanshme, më efikase dhe më fleksibile, dhe kështu më e pajisur për të reaguar ndaj krizave në të ardhmen", shtoi ai.
Një aspekt i rëndësishëm i reformës së SNS-së është përzgjedhja e përfituesve duke u bazuar në statusin e varfërisë (në vend të kategorive), ofrimi i benificioneve më adekuate, duke përfshirë një rritje të benificionit për kokë banori që e marrin familjet më të mëdha, dhe të siguruarit që përfituesit që janë të aftë për të punuar të përfitojnë nga masat e aktivizimit.
Pas aprovimit nga Bordi i Drejtorëve, Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore do të nënshkruajnë një marrëveshje për financim të projektit. Ratifikimi i marrëveshjes për këtë projekt nga Parlamenti i Kosovës, me të paktën dy të tretat e të gjitha votave, do të nevojitet që fondet e projektit të vihen në dispozicion për disbursim në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Këtë projekt do të zbatojë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për një periudhë pesëvjeçare.























