Nuk mbështetet as viti 2030 për pranimin e Ballkanit në BE
Shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një perspektivë të qartë kohore për pranimin në BE nuk po përmbushen as në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve Dpa, në deklaratën përfundimtare të samitit theksohet garancia e pranimit në BE, por vendimet për anëtarësimin do të varen nga përpjekjet për reforma,
Në Brdo kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh kundër një date të caktuar për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Nuk sjell asgjë një afat që në fund na vendos nën presion”, tha Merkel në samitin me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Brdo.
Sllovenia, si vend mikpritës i samitit dhe kryesuese e radhës e presidencës së Bashkimit Evropian kishte ofruar vitin 2030 si kohë të përcaktuar qartë për pranimin e këtyre vendeve, por nuk pati sukses me propozimin e saj.
“Nuk e mbështeta këtë propozim”, tha Merkel. Deri më tani “nga asnjë nga këto vende nuk janë plotësuar kriteret”. Megjithatë Merkel theksoi, se BE ka një “interes të jashtëzakonshëm strategjik” për të pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo e argumentoi këtë me bashkëpunimin në çështjet e klimës dhe migracionit.
Macron: Shtimi me 6 anëtarë të rinj do të kërkonte reforma në BE
Shumë nga krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u shprehën të zhgënjyer për ngecjen e procesit të anëtarësimit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se jo të gjithë vendet anëtare të BE kanë të njëjtën apetit për sa i përket zgjerimit.
Një nga vendet që ka qenë gjithmonë hezituese ka qenë Franca. Presidenti francez, Emmanuel Macron në Brdo u shpreh me nota pozitive, se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, dhe duhet t’u tregohet se janë në zemrën e Evropës, duke merituar investime, bashkëpunim në tregti, por edhe anëtarësim eventual.
“Ne kishim një diskutim të mirë…dëshira jonë është që t’i japim Ballkanit, i cili ndodhet në zemër të Evropës, një perspektivë (evropiane) sërish në plan afat shkurtër”, citon agjencia Reuters.
“Ne duhet të përgjigjemi”, tha presidenti francez duke theksuar, se kjo do të ndihmojë stabilitetin evropian. Por ai shtoi se shtimi i BE me 6 anëtarë të rinj do të kërkonte reforma në procesin e vendimmarrjes në BE që po ecën ngadalë.
Megjithë inkurajimet, presidenti Macron ia doli të vendosë një kufizim të ri. Kështu në deklaratën përfundimtare të samitit, theksohet, se integrimi i vendeve të reja në BE kushtëzohet nga zhvillimi i mëtejshëm i vetë unionit.























