Challandes: Duam ta konfirmojmë formën që e kemi pasur në shtator
BKT
Sport

Challandes: Duam ta konfirmojmë formën që e kemi pasur në shtator

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka thënë se Kosova ka luajtur në shtator ndeshje të mira dhe ndaj Suedisë do që ta konfirmojë formën. Ai ka folur një ditë para ndeshjes, e cila zhvillohet në Suedi dhe u përket kualifikimeve për Botërorin e Katarit.

“Do të luajmë kundër një ekipi të fortë. Kemi luajtur në shtator ndeshje të mira dhe duam ta konfirmojmë formën që e kemi pasur në shtator. Është e qartë që Suedia është kundërshtar shumë i fortë dhe këtë e ka treguar në të gjitha ndeshjet që ka luajtur, përfshirë edhe Kampionatin Evropian. Presim një ekip shumë të fortë në aspektin fizik por edhe në aspektin individual sepse ka lojtarë që mund ta bëjnë dallimin në ndeshje”, ka thënë ai.

Challandes është ndalur te presioni. 

“Edhe për këtë ndeshje ka presion sikurse në çdo ndeshje tjetër. Do të luajmë kundër një ekipi që në të njëjtin stadium e ka mposhtur Spanjën dhe presioni është normal jo vetëm në ekipin tonë, por çdo skuadër tjetër”, është shprehur ai.

Trajneri i Kosovës e ka vlerësuar Suedinë. 

“Suedia ka përvojë dhe ka luajtur në shumë turne të mëdhenj. Po ashtu, lojtarët e Suedisë kanë luajtur edhe në Ligën e Kampionëve. Kështu që, për ta dueli me Kosovën është një ndeshje normale”, ka theksuar ai.