Reja: Jemi këtu në Hungari për të bërë një ndeshje të madhe
BKT
Sport

Reja: Jemi këtu në Hungari për të bërë një ndeshje të madhe

Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja ka thënë se Shqipëria është në Hungari për ta bërë një ndeshje të madhe. Ai ka folur një ditë para ndeshjes, e cila zhvillohet në Budapest dhe u përket kualifikimeve për Botërorin e Katarit.

"Jemi duke kaluar një moment mjaft të mirë dhe renditemi të dytët në grup, vend që duam ta mbajmë deri në fund. E dimë vështirësinë e përballjes me Hungarinë, por vetëbesimi është mjaft i lartë në skuadrën tonë, ndaj jemi këtu për të bërë një ndeshje të madhe dhe për të qëndruar në vendin e dytë", ka theksuar ai.

"Ndeshja e radhës është gjithmonë më e vështirë dhe sigurisht që mendojmë vetëm për takimin ndaj Hungarisë. Pasi të kalojmë këtë ndeshje me sukses, do të kemi kohë të mendojmë edhe për takimin e radhës. Për momentin kemi një ndeshje vendimtare këtu dhe duam të marrim rezultat pozitiv".

Reja ka thënë se të dyja kombëtaret janë të kujdesshme në mbrojtje. 

"Duke njohur trajnerin Rossi, besoj që ata do të kërkojnë të marrin kontrollin e ndeshjes dhe të mos na lejojnë t’i godasim në kundërsulm. Sigurisht që duke luajtur në shtëpi, ata do të bëjnë diçka më shumë, por për të bërë më shumë, duhet të zhbalancohen dhe ne duhet të përfitojmë nga hapësirat që do të na krijohen. Duhet të jemi të zgjuar për të shfrytëzuar çdo hapësirë dhe rast që na jepet, për të ndëshkuar kundërshtarin", është shprehur ai.

"Si ne, edhe Hungaria, jemi shumë të organizuar në aspektin mbrojtës dhe i jap të drejtë trajnerit Rossi, që tha se ai që do të shënojë, do ta ketë më të lehtë të mbrojë rezultatin. Shpresoj që të gjejmë ne golin të parët".