Prizren, partitë politike dhe zgjedhjet, kush pritet të ndryshojë gjendjen?
Sharr Travel

Prizren, partitë politike dhe zgjedhjet, kush pritet të ndryshojë gjendjen?

Vetë ekzistenca e partive politike është jetësore për funksionimin e demokracisë, që pa praninë dhe funksionimin e tyre është e pamundur të flitet për sistem dhe institucione demokratike. Qeverisje në një sistem demokratik do të thotë qeverisje nëpërmjet partive politike.

Dhe tani që jemi në prag të zgjedhjeve, përkundër të gjitha sfidave që partitë politike duhet të ballafaqohen, një gjë mbetet e sigurt: Pa parti politike nuk mund të funksionoj demokracia, andaj është mirë të këmbejmë idetë, njohuritë, përvojat, ekspertizën…Kjo për arsye, sepse: Konsideroj, se është mangësi e partive tona politike që nuk arrijnë të perceptojnë, atë se çfarë kërkohet nga populli, nuk arrijnë të formohen nga poshtë-lart, nga baza deri te nivelet e larta që të jenë më funksionale sidomos për vendimet e tyre që janë në interes shtetëror, pastaj duhet të kenë demokraci brenda partiake, që të kemi mundësinë e vlerësimit se cila parti është më e organizuar në mënyrë demokratike dhe eventualisht ta krahasojmë me partitë tjera. Pastaj është domosdoshmëri e partive politike tu përshtaten ndryshimeve shoqërore në vend, përmes formimit të mendimit politik, ndërtimit të konsesusit dhe qeverisë në të mirë të gjithë shoqërisë, prandaj na nevojiten zgjedhjet, sepse e RIVENDOSIN DEMOKRACINË DHE POLITIKËN NË NORMALITET, që përmes tyre, zgjedhësit do ti shpërblejnë me dhënien e besimit për qeverisje të re liderit ose mazhorancës politike, dhe në të kundërtën kur pozita nuk ka qeverisur mirë, zgjedhësit do ta ndëshkojnë duke i dhënë besimin opozitës ose ndonjë alternative të re politike.

Përmes zgjedhjeve qytetarët me të drejtë vote marrin pjesë në jetën publike duke zgjedhur institucionet që u japin mandatin për drejtimin e vendit në periudhën e caktuar, ky është standard ndërkombëtar, që është përcaktuar në: Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut dhe Deklaratën Universale mbi Demokracinë, duke na shërbyer shtetit tonë si model, se vetëm zgjedhjet si parametër për matjen e nivelit të demokracisë së një vendi, konsiderohen forma e vetme, legjitime e marrjes së pushtetit, si shumë të dobishme për një pjesë të madhe të individëve apo subjekteve politike.

Analizë e shkurtë, në qytetin e Prizrenit, lidhur me partitë politike, ku garojnë këto parti politike me këta kandidatë:

-Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me kandidatin Shaqir Totaj;

-Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me kandidatin Mytaher Haskuka;

-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me kandidatin Lulzim Kabashi;

 

-Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me kandidatin Anton Çuni;

- Aleanca Kosova e Re (AKR), me kandidatin Afrim Tejeci;

- NISMA Socialdemokrate me kandidatin Zafir Berisha.

Tani më kandidatët për kryetarë të komunave kanë prezantuar programet e tyre, ajo çfarë duhet shikuar është se cila nga këto parti politike të lartcekura, posedon një planprogram më të përshtatshëm, për qeverisjen e ardhshme, cila nga këto parti politike ka një profesionalizëm dhe vendosmëri duke mos gabuar në vendimmarrje, që i ofron mundësi më të mira qytetarëve të Prizrenit, dhe cila parti politike do të jetë më bindëse që të bind qytetarët, ti besojnë partisë dhe kandidatit në mbrojtjen e vlerave kulturo-politike, më konkretisht të shikohet profili i kandidatit, serioziteti…Lidhur me këtë, sa ka gjasa? Ndonjëra nga këto parti do të mund të trajtojë disa çështje të rëndësishme që dalin si prioritet në Prizren, siç janë:

 

- Niveli i lartë i papunësisë;

- Edukimi jo kualitativ;

- Shëndetësi jo e mirë;

- Mbrojtja e ambientit, pastërtia dhe mbledhja e mbeturinave;

- Pakënaqësia e qytetarëve në ofrimin e shërbimeve publike dhe administrative;

- Mungesa e hapësirave për rini, kulturë dhe sport…

Nëse shkojmë në retrospektivë, qeverisja e kaluar katër vjeçare në Prizren e shohim se asgjë nuk ka lëvizur përpara, përkundrazi inskenime nga më të ndryshmet, mbase për të zbehur dhe imazhin e qytetit, si vlerë mbarëkombëtare. Prizreni nuk meriton degradime nga më të ndryshmet nga secili që vjen në pushtet. Së pari duhet të shikojmë interesat shtetërore, pastaj ato personale, sepse vertet po e dëmtojnë vendin, po e demoralizojnë votuesin, duke mos qenë ndoshta edhe të vetëdijshëm për vendimet që i marrin qoftë si individ, qoftë si parti politike, e që janë në dëm të qytetit të Prizrenit dhe githë shtetit të Kosovës.

Neve nuk na duhet ngecje, ne duhet të qojmë zhvillimet përpara, me mundësi bashkëpunimi me qytetarët e vendit. Si bëhet kjo? Kandidati duke qëndruar në Prizren, duke punuar dhe duke u marrë me të gjitha çështjet që janë prioritet për qytetin dhe qytetarët e Prizrenit.

Qytetari tashmë besoj duhet ta kuptoj dhe të votojë partinë politike e cila ofron qasje më të mirë qeverisëse për katër vitet e ardhshme.

 

Autor: Lendira Berisha