Shqipëria me tri mungesa për “finalen” ndaj Polonisë
BKT
Sport

Shqipëria me tri mungesa për “finalen” ndaj Polonisë

Pas fitores së madhe kundër Hungarisë në udhëtim, Kombëtarja e Shqipërisë ka filluar menjëherë përgatitjet në kompleksin Tropikal në Durrës për ndeshjen e radhës, atë kundër Polonisë.

Sot i gjithë grupi ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore me lojtarët të cilët nuk u aktivizuan që punuan më shumë në fushë. Ndërsa lojtarët të cilët u aktivizuan bënë vetëm pak ushtrime.

Federate Shqiptare e Futbollit bën me dije se i gjithë grupi është i plotë me përjashtim të Bekim Balajt dhe Berat Gjimshitit të dëmtuar. Mbrojtësi pësoi një frakturë në krah gjatë ndeshjes me Hungarinë dhe të hënën do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, përcjellë KosovaPress.

Përveç Balajt e Gjimshitit ndaj Polonisë do të mungojë edhe Endri Çekiçi i skualifikuar për shkak kartonësh.

Të hënën trajneri Edy Reja dhe kapiteni Etrit Berisha do të dalin në konferencën zyrtare për media në ora 13:00, ndërkohë që ekipi do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore.

Kuqezinjtë do të përballen të martën me Poloninë në stadiumin “Air Albania” të Tiranës në atë që mund të quhet një finale për vendin e dytë të Grupi I në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” e që mund të përkthehet në një biletë për fazën play-off.