Gjimshiti operohet me sukses, konfirmohet një pushim 30-ditor
Është konfirmuar një muaj pushim për Berat Gjimshitin, që u dëmtua në Budapest të shtunën e kaluar në ndeshjen që Shqipëria luante kundër Hungarisë për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022.
Sipas asaj që shkruhet në faqen zyrtare të skuadrës së Atalantës, mbrojtësi është operuar këtë mëngjes në Torino, për të rregulluar frakturën që pësoi në parakrahun e majtë.
“Futbollisti Berat Gjimshiti kreu me sukses një ndërhyrje kirurgjikale në parakrahun e majtë. Pas disa ditësh mbrojtësi zikaltër do të rifillojë stërvitjen, koha e parashikuar për t’u rikthyer në fushën e blertë është rreth 30 ditë”, shkruhet në faqen zyrtare të klubit zikaltër.
Atalanta do të rifillojë stërvitjen ditën e martë, pasi me sfidën e së dielës kundër Empolit, fillon një seri e gjatë ndeshjes së rëndësishme, ku në 20 ditë zikaltërit do të zhvillojnë 7 takime.























