Jasharaj: Të hënën mos të mbahet mësim që të jemi më të sigurtë
BKT
Lajme

Jasharaj: Të hënën mos të mbahet mësim që të jemi më të sigurtë

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që mbas zgjedhjeve të hënën të dezinfektohen shkollat dhe të ketë pushim më datë 18 tetor.

Kjo për shkak të frekuentimit të madh të njerëzve, të cilët dalin për të votuar dhe mospamundësisë së mbarëvajtjes së procesit mësimor të rregullt të hënën, raporton Indeksonline.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili u shpreh që ky propozim është i qëlluar.

Jasharaj tutje tha se dikush mund ta kuptojë se po dëshirojnë pushim, mirëpo është më mirë të jemi të sigurt.

“Ato janë propozime të qëlluara pasi që zgjedhjet do të zhvillohen gati në të gjitha institucionet arsimore, dhe do të ketë mjaft qytetarë që do të shkojnë për të votuar. 

Mbase do të ishte mirë që e hëna të shfrytëzohet që shkollat të pastrohen, të dezinfektohen që të martën mos të kemi shqetësime mos po na ndodh ndonjë paraqitje me Covid-19. 

Dikush mund ta kuptojë se po duam të pushojmë por më mirë është të jemi të sigurt. Sidoqoftë ne do të pajtohemi me vendimin e MASHTI-t”, u shpreh ai.


MË SHUME NGA Lajme