KONFLIKTI KINË-TAJVAN

KONFLIKTI KINË-TAJVAN

Shkruan: Rilind Gërvalla

Që nga Lufta civile në Kinë, mes forcave komuniste dhe atyre qeveritare kineze në vitet 1927-1949, statusi politik i Tajvanit u përcaktua si i ndarë nga Kina Komuniste. Katër ishujt, Tajvani, Penguja, Kinmeni dhe Matsuja, sipas ligjeve ndërkombëtare, i takojnë Republikës se Kinës me kryeqytet Tajpejin, entitete këto të ndara nga Republika Popullore e Kinës.

Ky status politik ka lënë hapësirë interpretimesh si nga bota perëndimore, gjithashtu edhe nga Pekini zyrtar. Bota perëndimore e konsideron Tajvanin si shtet demokratik dhe të pavarur, ndërsa Republika Popullore e Kinës e konsideron Tajvanin si pjesë integrale të saj dhe synon ta ribashkojë. Tensionet ndërmjet Kinës dhe Taivanit janë përshkallëzuar që nga zgjedhja e presidentes tajvaneze Tsai Ing-Ven në vitin 2016.

Tsai ka refuzuar të pranojë një formulë përbashkimi, ndërkohë, Pekini ka ndërmarrë veprime gjithnjë e më agresive, përfshirë dërgimin e aeroplanëve luftarakë afër ishullit. Akti agresor i konsideruar nga Tajpeji zyrtar mund ta tërheqë edhe SHBA-në në një konflikt më të theksuar me Kinën, për shkakun se SHBA-ja ka marrëveshje bilaterale me Tajvanin që nga viti 1979 për shitje të armëve me karakter mbrojtës.

Lufta “e pambaruar” mes nacionalistëve kinezë që kundërshtojnë pavarësinë e Tajvanit dhe mbrojtësve të Statusit aktual e që mbështeten jozyrtarisht nga SHBA-ja, është koncentruar sidomos në Ngushticën e Tajvanit. Të dy republikat kineze e përdorin Ngushticën e Tajvanit, e njohur ndërkombëtarisht si zonë speciale ekonomike, ku në njërën anë janë peshkatarët kinezë të Republikës Popullore, ndërsa në anën tjetër institucionalistët tajvanezë që janë duke ndërtuar stacione të erës për prodhimin e energjisë, që në fakt është industria më e madhe në Tajvan. Pra nëse flasim në terma ekonomikë, bashkëngjitja e Tajvanit do ta bënte Pekinin autoritet mbi partnerin e tij të pestë më të madh tregtar.

Pekini gjithashtu do të kishte nën kontroll industrinë e teknologjisë së lartë, industrinë e energjisë të klasit botëror dhe buxhetin prej 600 miliardë dollarësh të Tajvanit. Tajvani është edhe njëri nga furnitorët kryesorë të pjesëve teknologjike të Apple dhe prodhuesit më të mëdhenj të çipave në botë dhe ka respektuar vendimin amerikan për të mos shitur pajisje kineze Huawei me dyshimet se përdoren për spiunazh.

Në Tajvan, mund të themi që ndeshen edhe forcat gjeopolitike pavarësisht problemeve diplomatike, sepse njihet vetëm nga 15 shtete nga 193 sosh të Kombeve të Bashkuara. Që nga Lufta e Ftohtë, SHBA-ja ka ndodhur të ketë bashkëpunuar me regjime autoritare drejt disa qëllimeve të politikave të saj, por partnerët e saj ishin gjithmonë shtete demokratike. Marrja e Tajvanit nga Kina do të kishte një efekt të dëmshëm sidomos në besueshmërinë amerikane për politikat globale që ajo prezanton në garën ideologjike dhe tregtare me Kinën.

Prandaj, ruajtja e demokracisë tajvaneze është me interes jetik për Uashingtonin, e sidomos përkujdesja për zgjedhjet demokratike në të cilën Kina ka ndërhyrë disa herë me propagandën e saj nëpër media sociale.

Edhe administrata e Joe Biden, sikurse ajo e kaluara e Trump, po takohet zyrtarisht por edhe jozyrtarisht me autoritetet tajvaneze. Biden ishte presidenti i parë amerikan që ftoi përfaqësuesit e Tajvanit që të marrin pjesë në inaugurimin presidencial.

Kjo ftesë ishte edhe përkrahje për Tajvanin dhe ndodhi pasi që Departamenti Amerikan i Mbrojtjes përpiloi raportin se ushtria kineze po përgatitet për ta bashkuar Tajvanin edhe me përdorimin e forcës. Sipas sondazheve zyrtare të Taipeit, shumica e banorëve në Tajvan e mbështesin ruajtjen e status quos dhe vetëm një pakicë mendon që duhet të shpallet pavarësia e Taivanit. Por, shumë më e vogël është përqindja e atyre që janë për bashkimin e Tajvanit me Kinën.

Sipas një studimi të fundit nga Universiteti Çengçi mbi 60% e popullatës në Tajvan e konsiderojnë veten si tajvanezë ndërsa vetëm 3% thonë që janë kinezë. Por, ngjarjet mund të ndërrojnë nëse Kina ndërhyn dhunshëm sikurse në rastin e Hong Kongut, pavarësisht statusit special administrativ dhe autonomisë së zgjeruar me pushtet gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv.