Trajneri i Arbërisë: Në Vushtrri u sulmova me çadër, çakmak e gurë
Sharr Travel

Trajneri i Arbërisë: Në Vushtrri u sulmova me çadër, çakmak e gurë

Liga e Parë e Kosovës në futboll ka parë episode dhune në ndeshjen mes Vushtrrisë dhe Arbërisë.

Tifozët vendas e kanë sulmuar trajnerin e Arbërisë, Megzon Visoka.

Visoka në një prononcim për Klankosova.tv tha se ishte goditur me çakmak, çadër e gurë, ndonëse thotë se nuk e ka kuptuar sjelljen e publikut vendas, pasi sipas tij ndeshja ishte pa shumë tensione brenda fushës.

“Sot, të them të drejtën nuk mund ta kuptojë sjelljen e publikut vendas, sepse ishte një ndeshje pa shumë tensione brenda fushës”.

“Unë, fatmirësisht kam shpëtuar pa ndonjë lëndim (jam goditur me gjësende të ndryshme, çakmak, çadër shiu dhe gurë) dhe aty pastaj ka pas tendencë edhe të futën në fushë në ato momente të sulmit, por për fatin e mirë  nuk ndodhi ajo”, është shprehur Visoka për Klankosova.tv.

Tutje, ai thotë se fyerjet ndaj tij kanë ndodhur gjatë tërë ndeshjes, nga njerëz, që sipas tij, nuk ia duan të mirën as klubit të tyre.

“Jam pështyrë vazhdimisht e shumë gjëra të tjera të cilat as që i kisha imagjinuar të ndodhin sot”, ka thënë Visoka, njofton Klankosova.tv.

Visoka bëri të ditur se askush nga futbollistët nuk është lënduar, pasi që sipas tij, gjithçka ishte korrekte nga ana e futbollistëve, teksa ftoi organet kompetente të merren seriozisht me rastin.

“Sido që të jetë me këtë punë duhet të merren seriozisht organet kompetente dhe njëherë e mirë të jepen dënime të ashpra dhe meritore në mënyrë që të vetëdijesohen ata të cilët dëmtojnë imazhin e futbollit tonë dhe shkaktojnë dhunë në stadiumet e futbollit”, është shprehur Visoka, njofton Klankosova.tv.

Të gjithë ne duhet të kontribuojmë për një zhvillim sa më fer dhe korrekt të ndeshjeve, në mënyrë që të ngrisim nivelin e kulturës dhe futbollit në vendin tonë.