Gjilani fiton ndaj Drenicës, Ballkani merr një pikë në Klinë
BKT
Sport

Gjilani fiton ndaj Drenicës, Ballkani merr një pikë në Klinë

Skuadra e Gjilanit ka shënuar fitore në duel me Drenicën në kuadër të javës së 10-të në Superligë, me rezultat 2:1.

Protagonist i fitores së skuadrës së Ismet Munishit ishte Gerhard Progni, i cili realizoi dy gola. Ai i zhbllokoi shifrat në minutën e 65-të, me një supergol nga distanca, teksa epërsinë në 2:0 e shtoi në minutën e 76-të, kur u tregua i saktë nga penalltia. Në minutat e mbetura kuqezinjtë nga Skenderaj nuk arritën më shumë se sa ta ngushtojnë diferencën, me golin e Baton Zabërgjës, në minutën e 83-të. Pas kësaj fitoreje Gjilani mbetet në pozitën e tretë në renditje, por tashmë me kuotë të barabartë pikësh me Drenicën (17). Ndërkaq, në ndeshjen tjetër, Ballkani nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në Klinë në duel me Dukagjinin, duke e mbyllur sfidën me shifrat 0:0. Kjo pikë e fituar dhe humbja e Drenicës në Gjilan ia ka mundësuar skuadrës së Bekim Isufit që të rikthehet në pozitën e parë.