Vashat e Kombëtares A të gatshme për sfidën kundër Belgjikës
BKT
Sport

Vashat e Kombëtares A të gatshme për sfidën kundër Belgjikës

Para ndeshjes kualifikuese për Botërorin “Australia&Zelanda e Re”, kundër Kombëtares së Belgjikës, Dardanet mbajtën stërvitjen e fundit, të përkushtuara dhe me një angazhim maksimal, në mënyrë që në këtë ballafaqim të nxjerrin më të mirën, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.

Gjatë seancës stërvitore përzgjedhësja Afërditë Fazlija dhe shtabi teknik, provuan disa prej taktikave të lojës, duke u bazuar edhe në lojën e belgeve. Po ashtu ushtruan edhe gjuajtjet e lira, ato nga këndi si dhe mbrojtjen e fortë dhe kundërsulme të shpejta. Atmosfera është mjaft e mirë, ndërsa gjendja shëndetësore e futbollisteve është e mirë. Para ndeshjes kundër Belgjikës e cila do të zhvillohet nesër më 21 tetor në orën 20.00, futbollistet u shprehen të gatshme për të dhënë më të mirën.

Kombëtarja A u prit nga ambasadori Asrtit Zemaj

Sot gjatë ditës ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel z. Astrit Zemaj mirëpriti Kombëtaren A, i cili duke iu dëshiruar mirëseardhje dhe suksese në ndeshjen e së enjtes ndër të tjera tha: “Shumë gjenerata para jush e kanë dëshiruar dhe kanë pasur qëllim final për një vend në evenimentet evropiane e botërore siç themi ne diplomatët ta kemi një ulëse aty ku e meritojmë. Ju jeni ambasadore të Kosovës gjithandej. Unë besoj që ju në këtë ndeshje do të jepni më të mirën e mundshme”. Ndërkaq në emër të FFK-së dhe presidentit Agim Ademi, Ambasadorin Zemaj dhe stafin e ambasadës për mikpritje i ka falënderuar Valbona Gashi-Uka, menaxhere e ekipit kombëtar, e cila mes tjerash u shpreh: Kam kënaqësinë që në emër të presidentit të FFK-së z. Agim Ademi dhe stafit ekipit, të ju falënderoj për mikpritjen, kohën që keni ndarë dhe mbështetjen e vazhdueshme që na keni dhënë”. Ambasadorin e falënderuan edhe përzgjedhësja Afërdita Fazlija si dhe kapitenia e ekipit Edona Kryeziu.