Nis rinumërimi në QNR, KQZ pret afatet ligjore për rivotim në Han të Elezit
Sharr Travel

Nis rinumërimi në QNR, KQZ pret afatet ligjore për rivotim në Han të Elezit

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur rinumërimin e 23 vendvotimeve të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Ndërkohë, u bë e ditur se KQZ-ja do të pres afatet ligjore për datën e rivotimit në Han të Elezit, pas rekomandimit të PZAP-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për medie tregoi se në cilat komuna do të rinumërohet 8 vendvotimet për kryetar të komunave dhe 15 vendvotime për asamble komunale.

Elezi: Rinumërimi në 23 vendvotime është në këto komuna

“Sipas vendimit të KQZ-së, 8 vendvotime që do të rinumërohen u takojnë Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe u takojnë këtyre komunave: Kaçanik (1 vendvotim), Klinë (1), Mitrovicë e Jugut (1), Podujevë (1), Prishtinë (2), Prizren (1) dhe Skenderaj (1). Po sipas vendimit të KQZ-së, 15 vendvotimet tjera që do të rinumërohen u takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale dhe u takojnë këtyre komunave: Mitrovicë e Jugut (1 vendvotim), Novobërdë (1), Podujevë (1), Prishtinë (4), Prizren (4), Skenderaj (3) dhe Ferizaj (1). Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për të rinumëruar këto 23 vendvotime, pas rekomandimit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, e cila ka vërejtur se gjatë pranimit të materialit zgjedhor këto vendvotime nuk kanë mundur të pranohen si të rregullta. Në disa prej këtyre vendvotimeve formularët e rezultateve kanë qenë të paplotësuara ose pjesërisht të plotësuara dhe në disa raste mungojnë nënshkrimet e anëtarëve të këshillit të vendvotimit, prandaj duhet të bëhet rinumërimi në mënyrë që të saktësohet gjendja brenda kutive të votimit”, tha ai.

I pyetur për vendimin e PZAP-së që komuna e Hanit të Elezit të shkojë në rivotim, Elezi tha se do të presin gjitha afatet ligjore.

Elezi: Ne si KQZ jemi të detyruar të presim fatet ligjore

“Ne vendimin e PZAP-së që ka marrë vendim për rivotim në katër qendra votimi në Han të Elezit. Në fund të këtij vendimi ka këshill juridike, lejohet ankesa brenda 24 orëve, si KQZ jemi të detyruar të presim fatet ligjore”, shtoi ai.