​KQZ vendos për rinumërimin e 23 vendvotimeve
Sharr Travel

​KQZ vendos për rinumërimin e 23 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të rinumërohen 23 vendvotime të zgjedhjeve të lokale të 17 tetorit. Tetë nga vendvotimet janë për kryetar komune, ndërsa 15 për Kuvende komunale. E gjithë kjo për shkak të disa lëshimeve, që kryesisht u konsideruan teknike.

KQZ në mbledhjen e sotme vendosi të anuloi edhe disa vendvotime të votave me kusht për shkak të mospërputhjeve të rezultateve. Kjo nxiti disa nga anëtarët e KQZ-së që të gjeturat të dërgohen në prokurori. Derisa u debatua për një kuti të vendvotimit në Fushë Kosovë, e cila u rekomandua të procesohet si e rregullt, ani pse një pjesë e materialeve janë konfiskuar nga Policia e Kosovës ditën e zgjedhjeve.

Kryeshefi i sekretariatit, Burim Ahemtaj, tha rinumërimet janë për shkak të parregullsive teknike.

Ahmetaj: 23 vendvotime rekomandohet të rinumërohen

“Bëhet fjalë për tetë vendvotime për kryetar komune që rekomandohet të rinumërohen dhe 15 vendvotime për Kuvendin komunal që duhet të rinumërohen në bazë të rekomandimit që e keni para jush. Pra rekomandohet KQZ-ja që të gjitha vendvotimet si në listë që rezulton se shiritat e vendosur në kutitë e votimit kanë mospërputhje në shiritat e regjistruar në FPR. N ë rastet tjera kur formularët e rezultateve kanë qenë të plotësuara, apo pjesërisht të plotësuara dhe rastet tjera kur mungojnë nënshkrimet e anëtarëve të këshillave të vendvotimit. Pra të gjitha këto raste të rinumërohen. Rekomandimi është të bëhet rinumërimi i plotë”, tha ai.

Pas rekomandimit për anulim të disa vendvotimeve të votave me kusht, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi tha se çdo shkelje e mundshme duhet të ketë pasoja dhe të gjeturat duhet të shkojnë në Prokurori.

Kurteshi: Çdo shkelje duhet të ketë pasoja dhe të shkojnë në Prokurori

“Gabimet që për pasojë e kanë humbjen e votës së dikujt, këto nuk mund të kalohet vetëm ashtu. Unë pajtohem me zotëri Elshani se këto duhet të dërgohen edhe në hetuesi. Secila votë në veti është e shenjt, nuk janë të gjitha votat, gjitha votat e bënë statistikën. Por secila votë është e shenjt, prandaj mendoj se këto si të tilla, i kemi numrat dhe duhet të bëhen gati për prokurorinë për hetime. Unë jam kundër që çdo shkelje që nuk është e natyrës pa pasoja, pasi mund të ketë ndonjë shkelje pa pasoja, por aty kur kemi si pasojë humbjen ose shtimin e numrave të votave këto duhet të shkojnë në Prokurori”, shtoi ai.

Por, anëtari tjetër i KQZ-së, Florian Dushi tha se rastet në Prokurori nuk duhet të dërgohen vetëm sa për statistikë, por të vërtetohen saktë nga sekretariati dhe QNR-ja, e më pastaj të vazhdohet tutje.

Dushi: Të mos dërgohet raste në Prokurori vetëm sa për statistikë, pasi njerëzit po frikësohet

“Unë pajtohem që të shqyrtohen më tutje, por gjithsesi kërkoj nga sekretariati dhe QNR-ja të cilët kanë krijuar në përvojë profesionale t’i analizojnë me vëmendje këto raste, nëse ata vijnë në konkludim që rastet për të cilat po flasim dhe duhet të marrim vendim për anulimin e tyre janë raste për tentim të manipulimit me procesit zgjedhor, atëherë të dërgohen në prokurori. Por nëse të njëjtit, flas për njerëzit që mund të quhen ekspertë vijnë në përfundim se janë thjesht gabime dhe lëshime, atëherë mos të dërgojmë raste në Prokurori sa për statistika, pasi po ndikon negativisht tek të tjerët, pasi ju e dini se njerëzit po na mungojnë edhe në ditën e zgjedhjeve”, tha ai.

Debat i ashpër u zhvillua lidhur me rekomandimin e sekretariatit që një vendvotim në Fushë Kosovë të procedohet si i rregullt, megjithëse një pjesë e materialeve janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në ditën e zgjedhjeve.

Ahmetaj: Një pjesë e fletëvotimeve janë konfiskuar nga Policia, por pjesa tjetër të procedohen si të rregullta

“Materialet siç janë formularët zgjedhor të procedohen si të rregullta edhe përkundër faktit se disa materiale apo fletëvotime janë konfiskuar nga Policia në komunën e Fushë Kosovës... Kutia e votimit janë sjell, por vetëm një pjesë e materialeve brenda kutisë janë konfiskuar nga policia në ditën e zgjedhjeve”, tha kryeshefi i sekretariatit, Burim Ahmetaj.

Me këtë nuk u pajtua anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Rama.

Rama: Ne nuk mundemi të vazhdojmë më tutje, pasi hetimet s’kanë mbaruar

“Fletëvotimet e munguara janë pjesë e procesit, nëse vazhdojmë më tutje ne përsëri nuk kemi gjendje me dëshmu se sa kanë qenë të dëmtuara dhe zbraztë”, theksoi Rama.

Por procedimin e këtij vendvovotimi si të rregullt në QNR e kërkoi, Dushi i LDK-së.

Dushi: Të procedohen siç është rekomanduar nga QNR

“Nuk ka asgjë të keqe që kjo të procedohet ashtu siç është rekomandu edhe nga QNR-ja si e rregullt”, tha ai.

Lidhur me këtë rekomandim nuk pat vota të mjaftueshme, derisa u kërkua që në mbledhjen e radhës të vendoset për të shkuar në rinumërim apo anulim të tërësishëm.