Turneu përkujtimor Rama – Domi mbahet më 21-22 nëntor
Sharr Travel

Turneu përkujtimor Rama – Domi mbahet më 21-22 nëntor

Pas shumë viteve rikthehet turneu përkujtimor për legjendat e futbollit, Favzi Rama dhe Faton Domi, të cilët humbën jetën në fshatin Volljakë të Klinës, me 22 nëntor të vitit 1987.

Sot gjithçka u qartësua pas një takimit mes Fabian Veselit, president i klubit Dukagjinit të Klinës, Arbon Deskut, veprimtar i shquar dhe donator në gjeneratën e sakrificës, ish drejtor i KF Prishtinës dhe ish drejtor i KF Dukagjinit dhe Agim Ademit, president i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Eroll Salihut, drejtor për çështje sportive dhe këshilltar senior ligjor.

Gjatë këtij takimit në FFK, u bisedua për shumëçka sa i përket turneut që do të mbahet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku marrin pjesë skuadra e Prishtinës, Liria e Prizrenit, Vëllaznimi i Gjakovës dhe organizatori Dukagjini. 

Më 21 nëntor, në orën 11.30 bëhet hapja e turneut nga Agim Ademi, ndërsa në orën 12.00 luhet gjysmëfinalja e parë, ndërsa gjysmëfinalja e dytë në orën 14.00.

Më 22 nëntor zhvillohet finalja e madhe në orën 13.00.

Rama e Domi shumë vite ishin pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës, kur garonte në ligën e parë ish jugosllave, pastaj Domi luajti edhe Vëllaznim, ndërsa Rama në KF Liria.

Ditët kur humbën jetën, Rama ishte pjesë e Lirisë dhe Domi e Vëllaznimit. Ndeshja e fundit e tyre ishte mes Lirisë e Vëllaznimit, e cila përfundoi me rezultat 1:0 për vendasit (në kuadër të ligës së dytë ish jugosllave, grupi i Lindjes).