Barca-Real, ja kuriozitetet që ndoshta nuk i dini për El Clasicon
Sharr Travel

Barca-Real, ja kuriozitetet që ndoshta nuk i dini për El Clasicon

Bota e futbollit me sytë nga El Clasico. Krye-ndeshja e kampionatit spanjoll dhe një nga sfidat më të ndjekura në të gjithë botë, është gati t’i fiksojë të gjithë para ekranit për 90 minuta, për të shijuar spektaklin, rivalitetin dhe garën e fortë sportive në tapetin e blertë të “Camp Nou”-t.

Barcelona dhe Reali i Madridit janë dy nga klubet që kanë shkruar historinë e futbollit spanjoll e atij botëror dhe numërojnë miliona tifozë anembanë globit, megjithatë jo të gjithë dinë gjithçka për historikun e El Clasicos, ndaj disa prej kurioziteteve po i rreshtojmë më poshtë:

– El Clasico e parë është luajtur më 13 maj të vitit 1902 në Madrid, e vlefshme për Kupën e Kurorëzimit, e zhvilluar në nderim të mbretit Alfonso XIII dhe është fituar nga Barcelona.

– Në total janë zhvilluar 279 El Clasico (përfshi edhe miqësoret) dhe Barcelona ka fituar 115, Reali 102 e 62 të tjera kanë dalë barazim. El Clasico-t janë luajtur në 12 stadiume të ndryshme, por gjithmonë brenda Spanjës.

– Plot 24 lojtarë ia kanë dalë të shënojnë tregolësh brenda një ndeshjeje dhe 13 prej tyre kanë qenë të Realit të Madridit. I fundit është Luis Suarez që ka shënuar tre herë në fitoren 5-1 të Barcelonës në 28 tetor të 2018-ës.

– Dy fitoret më të thella i ka regjistruar Reali i Madridit, konkretisht 11-1 më 19 qershor 1943 dhe 8-2 më 3 shkurt 1935. Nga ana tjetër Barcelona numëron më shumë fitore me 5 gola diferencë, plot 7 të tilla.

– Ecurinë më të mirë në El Clasico e ka regjistruar Reali në periudhën 1962-1965 me 7 fitore radhazi, ndërsa Barça ka shkuar deri në 5 suksese radhazi në periudhën 2008-2010.

– Rezultati më i përsëritur i El Clasicos është 2-1, plot 44 herë. Barazimi më i përsëritur është 1-1, në 25 ndeshje.

– Lojtari me më shumë gola të shënuar në El Clasico është Lionel Messi, plot 26 të tillë, i ndjekur nga Alfredo Di Stefano dhe Cristiano Ronaldo me nga 18 gola. Argjentinasi është edhe njeriu asist i El Clasicos, me 14 pasime për gol për shokët e tij.

– Lojtari me më shumë gola radhazi në El Clasico është Cristiano Ronaldo, që në 6 ndeshje njëra pas tjetrës, ka shënuar 7 gola.

– Futbollistët me më shumë El Clasico të luajtura janë Sergio Ramos i Realit dhe Lionel Messi i Barcelonës, me nga 45 ndeshje secili, megjithatë asnjëri nuk do të jetë nesër në “Camp Nou”.

– Lojtari që ka fituar më shumë El Clasico në karrierë është mesfushori spanjoll Francisco Gento me 21 suksese, ndërsa lojtari me më shumë humbje, plot 20 të tilla, është Sergio Ramos.

– Golshënuesi më i ri në historinë e El Clasicos është Alfonso Navarres, vetëm 17 vjeç e 356 ditë, ndërsa më i vjetri Alfredo Di Stefano në moshën 37 vjeç e 164 ditë. Golin më të shpejtë e ka shënuar Karim Benzema pas 21 sekondash më 10 dhjetor të 2011-ës.

– Portieri që e ka mbajtur më së shumti portën të paprekur, është Victor Valdes, me plot 7 ndeshje në periudhën 2002-2014.

– Trajneri me më shumë ndeshje El Clasico dhe njëkohësisht me më shumë fitore, është Miguel Munoz i Realit të Madridit, që ka drejtuar 36 sfida dhe ka sukses në 16 prej tyre.

– Plot 37 futbollistë kanë veshur fanellën e të dy skuadrave, 22 prej të cilëve kanë qenë fillimisht te Barça e më pas kanë veshur fanellën e Realit, ndërsa 15 të tjerë kanë bërë rrugën e kundërt.

– Vetëm dy trajnerë kanë drejtuar të dy skuadrat, argjentinasi Enrique Fernandes dhe serbi Radomir Antiç.