Gashi: Synim i AKK-së, rikthimi si anëtare në ENQA dhe EQAR
Puna e Agjencisë së Kosovës për Akreditim është vlerësuar pozitivisht në Raportin e Progresit për këtë vit, të përpiluar nga ana e Komisionit Evropian, krahasuar me raportin e vitit të kaluar.
Drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, ka thënë për Radio Kosovën se Agjencia e Akreditimit po vazhdon përpjekjet për të rimarrë anëtarësimin në Organizatën Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).
Raporti i Progresit për Kosovën, këtë vit ka vë në pah se Kosova duhet të përmirësojë sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë duke rishikuar Ligjin për Arsimin e Lartë, si dhe të votohet Ligji për Agjencinë e Akreditimit. E për sa i përket Agjencisë së Akreditimit, ky raport ka lavdëruar punën e kësaj agjencie, e cila ka vazhduar përpjekjet për të rimarrë anëtarësimin në Organizatën Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR). Drejtori i Agjencisë së Akreditimit, Naim Gashi, në një deklaratë për Radio Kosovën e ka vlerësuar si pozitiv këtë raport dhe inkurajues për punën e AKA-së.
Sipas raportit, kapacitetet e agjencisë u rritën me staf shtesë në vitin 2020, ndërsa gjatë këtij viti do të hapen edhe tetë vende të lira të punës. Gashi, theksoi se edhe pse në kohë pandemie, agjencia ka zbatuar në plotëni standardet evropiane të cilësisë, pasi që në proces të akreditimit gjatë këtij viti kanë qenë të angazhuar 81 ekspertë eminentë ndërkombëtarë.
Albana Bajrami























