Ministria e Arsimit jep detaje për vendimin e Qeverisë për shkollat
Sharr Travel

Ministria e Arsimit jep detaje për vendimin e Qeverisë për shkollat

Ministria e Arsimit ka dhënë detaje lidhur me vendimin e Qeverisë për masat e reja antiCovid.

Sipas njoftimit të MASHT, procesi mësimor në institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve, do të zhvillohet me orar të rregullt dhe me prani fizike.

Por që vendimi i Qeverisë thotë se mësimi do të zhvilohet me prani fizike me kushtin që grupet mbi 50 persona, të akomodohen në jo më shumë se 50% të hapësirës.

Komunikata e plotë:

Në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 01/41 të datës 23 tetor 2021, seksioni (Dh), pikat 16-23 (https://kryeministri.rks-gov.net/…/Vendimet-e-Mbledhjes…), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se prej datës 25 tetor 2021 në të gjitha institucionet edukative-arsimore të arsimit parauniversitar, institucionet e arsimit të lartë, qendrat e qëndrimit ditor, institucionet aftësuese dhe institucionet që ofrojnë arsim joformal zbatohen masat vijuese për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19:

Procesi mësimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor vazhdon në mënyrë të rregullt.

Procesi mësimor-edukativ në institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve, si dhe në qendrat e qëndrimit ditor, zhvillohet me orar të rregullt dhe me prani fizike, nën mbështetjen, monitorimin dhe mbikëqyrjen aktive nga Task Forcat Komunale dhe Institucionale.

Procesi mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, si dhe në institucionet aftësuese dhe të arsimit joformal, zhvillohet me prani fizike me kushtin që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50% të hapësirës.

Qasja në objektet e institucioneve arsimore publike dhe private të të gjitha niveleve lejohet vetëm për stafin që posedon njërën nga dëshmitë vijuese: (a) Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19; (b) Testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë; (c) Dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; (d) Testin e shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë. Dëshmitë e njëjta duhet t’i posedojnë studentët për qasje në institucionet e arsimit të lartë dhe konvikte.

Nëpunësi më i lartë i çdo institucioni është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën paraprake.

Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për normalizimin e plotë të procesit mësimor në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit dhe fton të gjitha palët për respektimin e masave për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.