Drejtësia që zhgënjen gratë
Sharr Travel

Drejtësia që zhgënjen gratë

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, vendimet e ulëta e qesharake nga ana e gjykatave, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë së Kosovës, janë disa nga faktorët që, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Sipas të dhënave nga Kryeprokuroria e Shtetit, për nëntë muaj të vitit 2021, në Kosovë janë regjistruar 1.548 raste të dhunës, prej të cilave 1.396 janë regjistruara si dhunë në familje.

Në 445 raste, siç thuhet, ka pasur kërkesa për urdhër-mbrojtje të viktimave të dhunës në familje, kurse në 36 raste janë lëshuar urdhër-mbrojtje emergjente.

Adelina Berisha, menaxhere e programit kundër dhunës në baza gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, mostrajtimi i rasteve ashtu siç duhet, po bën që të ketë rritje të rasteve të dhunës ndaj grave.

"Policia shpesh e merr rolin e ndërmjetësuesit dhe ka tendenca për fajësimin e viktimës. Në Prokurori kemi mungesë të hetimeve dhe shpesh nuk dinë të bëjnë hetime siç do duhej, që do të çonin deri te zgjidhja. Nga gjykatat shpesh kemi vendime të cilat janë qesharake karshi veprës së rëndë që ushtruesit e dhunës e kanë shkaktuar", tha Berisha.

Berisha ka treguar se gratë dhe vajzat, apo edhe persona të tjerë, të cilat drejtohen te autoritetet kompetente, hasin në vështirësi të mëdha.

"Edhe pse nuk është as në mandatin e shumë zyrtarëve policorë, dhe as të zyrtarëve tjerë nga qendrat për punë sociale, ata tentojnë ta bëjnë pajtimin mes çifteve edhe kur ka forma të ashpra të dhunës, apo kur dhuna është mes personave të panjohur, prapë mundohen ta minimizojnë dhunën dhe në njëfarë forme më shumë fokusi vihet te pajtimi i viktimave dhe ri-traumatizimi i tyre, sesa që të mblidhen prova dhe ushtruesi i dhunës të dalë para drejtësisë", tha Berisha.

Nazife Jonuzi, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen edhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve "Liria", konsideron se dënimet që marrin dhunuesit janë shumë të ulëta dhe se sipas saj, ky është një prej faktorëve që ka rritje të numrit të rasteve.

"Riintegrimi është një ndër sfidat më të mëdha. Çka pas strehimit? Ku shkojnë gratë? Është shumë e dhimbshme se 80 për qind e grave kthehen prapë në ambientet e dhunës për arsye të riintegrimit, pagesat e qirave, mungesa e punës. Ne e dimë se punësimi është shqetësim i madh edhe për burrat edhe për gratë, mirëpo këto raste janë më shumë të atakuara. Riintegrimi nuk është vetëm sigurimi i një qiraje, por mungojnë banesat sociale", tha ajo.

Jonuzi thotë se në Kosovë ende ka pabarazi të mëdha dhe se, sipas saj, raportet në publik dallojnë shumë nga gjendja faktike në terren.

"Ende është ajo stigma, paragjykimi se gratë duhet ta mbyllin gojën, duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe nuk duhet ta denoncojnë dhunën. Pabarazitë në familje ende janë shumë të mëdha", u shpreh ajo.

"Shkaktarët e krimit duhet të ndëshkohen"

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë të hënën, më 25 tetor, në konferencën e organizuar nga Kryeprokuroria e Shtetit, me titull, “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, se dhuna ndaj grave është bërë sfidë, jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi.

"Ne nuk mund të heshtim ndaj kësaj gjendjeje, sikur nuk mund të heshtim as ndaj nevojës për mbështetje me të madhe të viktimave. Shkaktarët e krimit duhet të ndëshkohen, kurse viktimat duhet të rehabilitohen të inkurajohen dhe të mbështeten institucionalisht", tha Osmani.

 

Infografikë

Rritet dhuna ndaj grave në Kosovë

Ajo shtoi se ndryshimet pozitive arrihen duke punuar në zbatimin e ligjit dhe se, sipas saj, mosndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë.

Kurse Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se përpjekjet e sistemit prokurorial janë të vazhdueshme në parandalimin e krimit.

Megjithatë, ai shtoi se autoritetet janë të vetëdijshme se ende duhet bërë punë dhe përkushtim nga institucionet e drejtësisë për të parandaluar dhunimet, keqtrajtimet dhe vrasjet.

"Këto çështje duhet të trajtohen me prioritet gjatë punës së përditshme të prokurorëve, policëve hetuesë dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë. Prandaj, përkushtimi ynë duhet të jetë në koordinim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë ndërmjet institucioneve ligj-zbatuese, që në asnjë moment të mos ketë neglizhim në ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre personave që cenojnë të drejtat, liritë themelore dhe vlerat tjera të garantuara me kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare", tha Lumezi.

"Nuk kemi jetë për të humbur"

Ministrja Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka ftuar të hënën të gjithë bartësit e sistemit të drejtësisë që të marrin përgjegjësi që, siç tha ajo, t'iu dilet ballë këtyre rasteve.

"Thërras Policinë, prokurorët e gjyqtarët që të kryejnë detyrat e të mbrojnë jetët e vajzave dhe të grave. Nuk kemi jetë për të humbur. Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, këtë duhet ta dinë të gjithë. Prandaj si e tillë nuk mund të mbetet si e izoluar brenda mureve të shtëpisë", tha Haxhiu dhe theksoi se është shqetësues numri në rritje i dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Nga janari i këtij viti, deri në muajin qershor, janë vrarë dy gra kurse në vitin 2020 janë vrarë shtatë gra.

Autoritetet në Kosovë kanë shqiptuar gjoba të ndryshme për dhunë në familje, përfshirë burgimin me kusht, me gjobë, apo dënime efektive.

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112


MË SHUME NGA Aktuale