Gjykata Themelore konfirmon aktakuzën ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha
Aktakuzën për korrupsion ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe ish-sekretarit Kushtrim Cukaj dhe tre të tjerëve, Fitim Mustafa, Nuhi Osmani dhe Demush Shasha e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ndaj këtij vendimi ka bërë ankesë avokati i të akuzuarit Demush Shasha.
Avokati Tahir Recaj ka treguar për KosovaPress se ndaj këtij vendimi të hënën ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit. Ai ka theksuar se deri në vendimin e Gjykatës së Apelit aktakuza nuk mund të konsiderohet e konfirmuar.
“Nuk është konfirmuar aktakuza, është shkalla e parë dhe nuk konsiderohet e konfirmuar sepse ne e kemi paraqitur ankesë për aktakuzën...brenda afatit pesë ditor kemi pasë të drejtë me paraqitë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe unë e kam bërë këtë dhe jemi në pritje të vendimit të Apelit. Vetëm nëse Gjykata e Apelit e refuzon ankesën, aktakuza konsiderohet e konfirmuar, deri në atë fazë nuk është e konfirmuar sepse kemi vetëm një aktvendim të gjykatës së shkallës së parë”, tregoi avokati Recaj për KosovaPress.
Kujtojmë që më 1 shtator të 2021 në seancën e shqyrtimit fillestar të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërsa, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.























