Kurti ia lë fajin pandemisë për rritjen e çmimeve në Kosovë
Sharr Travel

Kurti ia lë fajin pandemisë për rritjen e çmimeve në Kosovë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë sot se ekonomia e Kosovës nuk ka përjetuar asnjëherë rritje sikurse në këtë vit. Pavarësisht, se vendi po ballafaqohet me rritje të çmimeve të shumë produkteve, Kurti tha se në Kosovë është rritur eksporti, aktiviteti ekonomik dhe të hyrat buxhetore.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në një konferencë për media me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, e që në foks ka prodhimtarinë vendore.

“Ekonomia e vendit tonë asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10% dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit. Aktiviteti ekonomik është shtuar për afër 30%, eksportet janë rritur mbi 60% e poashtu janë rritur të hyrat buxhetore për 34%. Rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë është motori kryesore për zhvillimin ekonomik të një vendi”, ka thënë Kurti.

Për sa i përket rritjes së çmimeve të shumë produkteve në vend, Kurti tha se është pasojë ekonomike e pandemisë.

“Pasojat ekonomike të pandemisë që po përcillen edhe me luhatje të çmimeve vë në pah dy faktorë. Si pasojë e shkëputjes së zinxhirëve të furnizimit shumë vende të Evropës po shohin vendit që i kanë më afër si eksportues potencial si dhe theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor. Pandemia na dëshmoi që prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi”, ka thënë më tutje ai. /Express/


MË SHUME NGA Aktuale