Morën e dhanë ryshfet gjatë votimit, ngritet aktakuzë ndaj 4 personave
Sharr Travel

Morën e dhanë ryshfet gjatë votimit, ngritet aktakuzë ndaj 4 personave

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.K., A.D., A.T. dhe Xh.B., për shkak të veprave penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ dhe ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Nga Prokuroria thuhet se sipas aktakuzës, të pandehurit M.K. dhe A.D., më 16 tetor 2021, rreth orës 18:30 minuta në Kllokot kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të votuesit-tani të pandehurit Xh.B., në këmbim të votave.

Në këtë mënyrë, të pandehurit M.K. dhe A.D., kanë kryer veprën penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’, të KPRK-së.

“Ndërsa, i pandehuri A.T., i ka dhënë para në shumë prej 200 € të pandehurit Xh.B., me qëllim që i njëjti të siguronte 10 vota për kandidat për kryetar të komunës së Kllokotit. Me këto veprime, i pandehuri A.T., ka kryer veprën penale ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’’, të KPRK-së. Gjithashtu edhe i pandehuri Xh.B, akuzohet për veprën penale ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’’, pasi ka pranuar para në vlerë prej 200 €, nga i pandehuri A.T”, thuhet tutje nga Prokuroria Themelore në Gjilan.


MË SHUME NGA Aktuale