Kurti paralajmëron takim me palën serbe në gjysmën e nëntorit
BKT
Lajme

Kurti paralajmëron takim me palën serbe në gjysmën e nëntorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media kur u pyet nga gazetarët edhe për një takim të mundshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se takimi mund të ndodh në gjysmën e nëntorit.

“Do të mund të ndodh dikur në gjysmën e nëntorit, ndërsa sa i përket udhëheqësve të dy shteteve nuk ka ndonjë datë, ndonëse kjo varet nga lehtësuesit e dialogut në Bruksel”, deklaroi Kurti.

Për herë të parë, dy zyrtarët janë takuar më 15 qershor dhe gjatë takimit kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Në fund palët kanë thënë se nuk janë pajtuar për asgjë, mirëpo kanë shprehur gatishmëri për vazhdim të dialogut.

Ndërsa, takimi i dytë mes Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është mbajtur më 19 korrik, në Bruksel.

Ai gjatë këtij takimi ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, ka deklaruar Kurti, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Edhe më 6 tetor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili ka marrë pjesë në Samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.


MË SHUME NGA Lajme