Katër komuna ende pa certifikim të rezultateve, ankesat e tyre në PZAP
BKT
Lajme

Katër komuna ende pa certifikim të rezultateve, ankesat e tyre në PZAP

Gjithsej në 38 komuna të Kosovës u zhvilluan zgjedhjet lokale, për të zgjedhur kryetarin dhe përfaqësuesit komunal në Asamble.

Më 17 tetor të këtij viti shumë qytetarë iu drejtuan kutive të votimit në kuadër të komunave të tyre përkatëse.

Por jo të gjitha komunat kanë pranuar rezultatin përfundimtar nga këto zgjedhje.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar zëdhënësin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka deklaruar se në vendimin e KQZ-së të datës 29 tetor nuk janë përfshirë rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të katër komunave.

Këto komuna janë: Podujevë, Shtime, Ferizaj dhe Kllokot.

“Sipas njoftimeve nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në këtë institucion janë paraqitur ankesa për rezultatin përfundimtar në këto komuna. KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të këtyre ankesave”, u tha tutje nga Elezi.

Por siç mëson lajmi.net ankesat të cilat janë paraqitur në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa janë shumica nga kandidatët për kryetar të partive përkatëse.

Në Shtime apel ka paraqitur kandidati i PDK-së, për Kryetar të Komunës së Shtimes, për shkak të gabimit të regjistrimit të votave në mes të kandidatëve për kryetar të Komunës së Shtimes.

“Apel ka paraqitur kandidati i PDK-së për Kryetar të Komunës së Ferizajt, për shkak të mos-regjistrimit jo të saktë të votave me kusht dhe me post”, thuhet poashtu në njoftimin e siguruar nga lajmi.net.

E tjetër apel në PZAP ka paraqitur edhe kandidati i Nismës Socialdemokrate për Kryetar të Podujevës, i cili pretendon se ka dyshime se janë abuzuar votat gati në çdo vendvotim të Podujevës dhe kërkon rinumërim të votave në të gjitha vendvotimet e kësaj komune.

Apel në PZAP ka edhe Strahinja Spasiq, kandidat për Kryetar në Komunën e Kllokotit.

Apeli ka të bëjë më kërkesën që të hetohen parregullsitë e votimit në ditën e zgjedhjeve, abuzimi dhe mashtrimi gjatë votimit, para dhe pas votimit. Ushtrimi i presionit ndaj votuesve dhe blerja e votave. Këto janë pretendimet e ankuesit në paraqitjen e ankesës së tij.

Ndërsa Mul Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka deklaruar për lajmi.net se PZAP-i ankesat do t’i vendosë brenda afatit ligjor dhe me vendimet lidhur me këto ankesa të gjithë do të njoftohen me kohë.

Sipas rezultateve Komuna e Podujevës shkon në balotazh ndërmjet kandidatit të LDK-së, Ekrem Hyseni i cili mori 44.20% të votave, si dhe Shpejtim Bulliqit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili arriti të mbledhë 44.16% të votave.

Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.

Kurse në Ferizaj, fitues ka dalë Agim Aliu i PDK-së me 62.38 për qind të votave, duke lënë pas kandidatin e LVV-së, Valon Ramadani i cili ka marrë vetëm 26.05 për qind të votave.

Kllokoti shkon në balotazh mes Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.

Duhet përkujtuar që shumë prej komunave të vendit do të shkojnë sërish drejt balotazhit, ndërsa janë pak nga ato që arritën që në raundin e parë të zgjedhin kryetarin e ri të komunës apo t’i japin mundësinë e një mandati të dytë atij që drejtoi komunën gjatë mandatit të kaluar 4 vjeçar.


MË SHUME NGA Lajme