Tuchel: Ndeshjen e fitoi ndihmësi im
BKT
Sport

Tuchel: Ndeshjen e fitoi ndihmësi im

Ndoshta me më shumë vështirësi sesa pritej, por gjithsesi Chelsea bën një tjetër hap të madh në Suedi për të avancuar qoftë edhe përpara kohe në 1/8-at e Champions-it.

Kampionët në fuqi të kompeticionit triumfuan minimalisht me Malmon dhe kanë blinduar vendin e dytë të renditjes, pas shpatullave të Juventusit.

“Kishim nevojë për këtë fitore, për të qenë më të qetë edhe për ndeshjen e radhës në kampionat, ndonëse goli dukej i mallkuar për gati një orë për ne, – bën hyrjen e tij trajneri i Chelsea-t, Tomas Tuchel.

"Gjithsesi, nëse mendoj se fitorja ishte plotësisht e merituar për ne, këto tri pikë i takojnë të gjitha ndihmësit tim, Arni Michels. Ai pati idenë që në fillim të pjesës së dytë të ndryshoja krahët e Ziyechut me Odoit dhe pa dyshim që kjo ishte lëvizja vendimtare, duke parë edhe aksionin e golit. Ndaj, nuk kam pse ta fsheh se përveç një skuadre fantastike, kam luksin që të mbështetem edhe te një staf që di të plotësojë dhe, pse jo, të kalojë edhe punën dhe idetë e mia”, përfundoi Tuchel duke buzëqeshur.