Kurti: Mirënjohës që vlerësimi i Biden për dialogun është njohja reciproke
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të enjte është takuar me zëvendës ndihmës sekretaren amerikane të Shteti, Mollu Montgomery, ku vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Montgomery theksoi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.
Tutje, Montgomery falënderoi Kosovën për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë, teksa Kurti tha se kjo ndihmë ishe obligim humanitar i Kosovës dhe se duan t’i qëndrojnë në krah SHBA-ve.
“Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se është mirënjohës për vlerësimin e Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshje duhet përqëndruar në njohjen reciproke.
“Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave”.
“Kryeministri Kurti falënderoi ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19”.
“Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve”, thuhet në komunikatë.























