Numër i lartë votash të pavlefshme
Albulena Bytyqi
Edhe në këto zgjedhje ka vazhduar trendi jashtëzakonisht i lartë i votave të pavlefshme. Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radio Kosovën se në zgjedhjet e 17 tetorit kanë gjetur mbi 90 mijë fletëvotime të pavlefshme, prej të cilave një pjesë bukur e madhe ishin të zbrazëta. Kjo përqindje kaq e lartë sipas tij, flet për nevojën imediate për të ndërhyrë në përmirësimin e mënyrës së votimit.
Numri i lartë i fletëvotimeve të pavlefshme, ka vazhduar edhe në zgjedhjet e 17 tetorit. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vlamir Elezi, ka thënë se numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet për kryetarë të komunave është 13 mijë apo 1.61%, ndërsa kjo shifër është më e lartë në zgjedhjet për kuvende komunale, 66 mijë e 151 apo 7.97%. Nëse këto të dhëna i krahasojmë me zgjedhjet lokale të vitit 2017, atëherë vërejmë se në këto zgjedhje kemi numër më të ulët të fletëvotimeve të pavlefshme, ka thënë Elezi.
“Nëse këto të dhëna i krahasojmë me zgjedhjet lokale paraprake, të vitit 2017, atëherë vërejmë se në këto zgjedhje kemi numër më të ulët të fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet për kryetarë të komunave e po ashtu edhe në zgjedhjet për kuvende komunale. Në vitin 2017, pa llogaritur fletëvotimet e zbrazëta, numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet për kryetarë të komunave ka qenë 13 mijë e 814 fletëvotime apo 1.65%. Ndërsa, në zgjedhjet për kuvende komunale ky numër ka qenë 66 mijë e 151 apo 7.97%”, tha ai.
Elezi tutje ka shtuar se nga proceset e kaluara zgjedhore, gjatë analizimit të fletëvotimeve të pavlefshme të zgjedhjeve për kryetarë apo për kuvende, kemi vërejtur raste kur është votuar më shumë se një kandidat apo më shumë se një subjekt politik; dëmtim të qëllimshëm të fletëvotimeve si dhe fletëvotime të paplotësuara.
E sipas shoqërisë civile, një nga shkaktarët për këtë gjendje është mungesa e kampanjave adekuate nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radio Kosovën se në zgjedhjet e fundit kemi gjetur mbi 90 mijë fletëvotime të pavlefshme.
“Në bazë të rezultateve të shpallura nga KQZ, kemi gjetur mbi 90 mijë fletëvotime të pavlefshme, prej të cilave një pjesë janë edhe fletëvotime të zbrazëta. Ndërsa vetëm për zgjedhjet e kuvendeve komunale, që është hallka me problematike e votave të pavlefshme, kemi plot 70 mijë vota të pavlefshme e që si mesatare në nivel vendi është 9% . Krahasuar me vitin 2017 kemi rritje rreth 10 mijë vota të pavlefshme”, tha ai.
Sipas Cakollit, nga Instituti Demokratik i Kosovës, kjo situatë është e papranueshme dhe se duhet të adresohet menjëherë, duke punuar në ndryshimin e dizajnit të fletëvotimeve, rikonceptimin e kampanjave për informim të votuesve lidhur me mënyrën e votimit.























