Russia Today ndihmon rritjen e përkrahëseve kundër vaksinave në Gjermani
Transmetuesi shtetëror rus RT DE është një nga burimet më të rëndësishme për mohuesit e COVID-19 në Gjermani. Të dhënat tregojnë për një shtrirje të propagandës ruse, e cila shpesh mbështetet në pretendime mashtruese.
Është e ditur dhe dokumentuar prej vitesh që propaganda ruse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani dhe vende të tjera ka nxitur ndryshim të disponimit. Një numër i madh i konflikteve është vërejtur gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19, diskutimet për kufizimet e të drejtave themelore të njeriut dhe vaksinimet po shkaktojnë polarizim dhe në disa raste radikalizim. Këto konflikte janë nxitur veçanërisht nga propaganda ruse.
Një analizë e të dhënave, e kryer nga Instituti për Dialog Strategjik (ISD) dhe organizata Reset, tregon se RT DE është një nga referencat më të rëndësishme për mohuesit e COVID-19 dhe kundërshtarët e vaksinimit.
Përpara se RT DE të bllokohej nga YouTube, një ekip studiuesish analizuan se sa të suksesshëm ishin disa tituj të RT DE lidhur me COVID-19 dhe si po zhvillohej ndërveprimi midis skenës së mohimit të vaksinimit dhe transmetuesit shtetëror rus.
Analistët zbuluan se RT DE ishte në gjendje të arrinte një audiencë të gjerë përmes YouTube, ku 84 nga 100 videot më të njohura kishin më shumë se 100 mijë shikime në kohën e mbledhjes së të dhënave, pra nga fillimi i marsit deri në fund të korrikut 2021. Videoja më e njohur kishte 1.2 milionë shikime.
Nga 100 videot më të shikuara në RT DE, 67 prej tyre përmbanin një referencë për COVID-19. Sërish 61 prej tyre kishin një qëndrim kritik ndaj masave të pandemisë në Gjermani, SHBA dhe vende tjera si dhe kundër vaksinave perëndimore. Tri video u vlerësuan si neutrale, ndërsa një analizonte situatën pandemike në Rusi si pozitive.
Videot e analizuara shpesh përmbanin pretendime mashtruese ose të rreme për COVID-19, kryesisht në formën e deklaratave të "ekspertëve" të dyshimtë që nuk ishin verifikuar ose klasifikuar.
Raporti mbi propagandën ruse thotë se shumë nga kontributet e RT DE janë "në një zonë gri kritike midis dezinformimit dhe lirisë së shprehjes". Shpesh bëhet fjalë për "një paraqitje të fakteve dhe deklaratave që janë shumë jashtë kontekstit".
Përveç kësaj, studiuesit kanë analizuar 279 kanale në gjuhën gjermane në Telegram nga mjedisi ekstremist i krahut të djathtë dhe ai konspirativ. Rezultati: RT DE ishte një nga burimet kryesore në këto kanale.
“Duke raportuar për pandeminë, RT DE është bërë një pjesë organike e komuniteteve online të skeptikëve të COVID-19", shkruajnë studiuesit.
RT DE shihet si një medium i besueshëm në këto grupe. Në forume të tilla, kritikat ndaj masave për frenimin e pandemisë zakonisht kombinohen me kritikat e përgjithshme ndaj "sistemit", përkatësisht ndaj institucioneve dhe mediave.
Russia Today nuk ka licencë për transmetim në Gjermani. Sipas raportit, transmetuesit shtetërorë në Rusi kanë rreth 1.2 miliard euro fonde në dispozicion vetëm në vitin 2021. Në vitet e ardhshme, 2.5 miliardë euro shtesë do të investohen në zhvillimin e medias shtetërore, ndër të tjera me synimin për të rritur shtrirjen e RT-së jashtë vendit.
Lajmi i plotë: https://www.tagesschau.de/investigativ/rtde-covid-propaganda-desinformation-101.html























