Politikë apo demagogji…
Sharr Travel

Politikë apo demagogji…

Shkruan: Lendira Berisha

Mendimi i drejtë është forcë në politikë, nëse nuk i ikim shmangies nga realiteti, nëse nuk i veshim lirisë politike, petkun mashtrues të autonomisë, sepse jemi shtet demokratik.

Dimë që dituria dhe injoranca janë në kacafytje të njëhershme në çdo vend dhe në çdo kohë, veçanërisht tek ne shqiptarët hetohet më dukshëm,  pastaj dhe me trillime nga më të ndryshmet…

Politika nuk ndërtohet me ide të përmbysura me anë të ironisë. Më tepër se një ekzekutim të brendshëm, kemi ekzekutimin e një ideje të njerëzisë. Deformimi i personaliteteve që depersonalizojnë, për të nxjerr në pah mungesën e individualitetit deri në mos njohjen e njëri-tjetrit.

Asnjëherë nuk duhet të pranojmë shmangien nga realiteti historik, për disa që mundohen ta lakojnë të vërtetën e kaluar ndër shekuj. Politika duhet të jetë simbiozë në një shtet, të diskutohet më shumë me sentencë, skolastikë, dhe më pak demagogji.

Lidhur me demagogjinë, më pëlqen një citim që e ka bërë politologu italian, me famë botërore, Giovanni Sartori, në librin e tij, “Ç’është demokracia” ku thotë: “Në politikë konkurrenca e pandershme, mashtruese dhe pikërisht demagogjike, mbetet e pandëshkuar dhe shpesh rezulton fitimprurëse (për demagogun).

Ligjërisht nuk mund ta pengojmë jemi të pafuqishëm. E vetmja mundësi për të korrigjuar është të kemi një publik, që të mos lejojë të mashtrohet, të paktën jo në masë e jo përgjithnjë”.

Nga e lartcekura vijmë në konkluzion, ne duhet të jemi largpamës dhe jo drejtvizor, të reflektojmë çdo herë kur kemi të drejtë. Natyrisht zgjedhja në jetë do të thotë shumë, pa pranuar sugjestionime mbi vullnetin.