MAShTI me bashkëpunim akademik me ShBA-të
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe i Ngarkuari me Punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, kanë nënshkruar marrëveshjen e Mirëkuptimit për Programin Fullbright të Shkëmbimit Akademik ShBA – Kosovë.
Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, tha se këtë vit do të ketë shtim të numrit të përfituesve në këtë program.
Tutje ajo tha se rritja e fondeve për programin u mundëson që bashkëpunimi akademik të zgjerohet.
“MASHTI me marrëveshjen që e nënshkruam sot, ka dublifikuar fondet për mbështetjen e programit, kjo nënkupton shtim të numrit të përfituesve në skemat për të cilat do të dakordohem si ministri dhe që i konsiderojmë të rëndësishme. Realizimi i memorandumit të ri të mirëkuptimit dhe rritja e fondeve për programin na mundëson që bashkëpunimi akademik të zgjerohet, duke shtuar numrin e përfituesve dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë”, tha ministrja.
Nicholas J. Giacobbe u shpreh i lumtur me realizimin e këtij programi. Tha se mbi 400 mijë përfitues marrin pjesë në këtë program nga e gjithë bota.
“Programi Fullbright është bërë programi më i njohur i shkëmbimit të përvojave akademike në botë. Mbi 400 mijë përfitues të këtij programi, kanë marrë pjesë në këtë program kaq të rëndësishëm. Jemi shumë krenarë që 216 përfitues të këtij programi që kanë marrë pjesë, janë kthyer në shtëpinë e tyre për të shërbyer në Qeveri, shoqëri civile dhe në botën akademike”, tha ai.























