E bujshme, një legjendë e futbollit mund të marrë drejtimin e Kosovës
Një legjendë e futbollit botëror për bankinën e Kosovës. Pavarsisht barazimit ndaj Greqisë në transfertë në ndeshjen e fundit për eliminatoret e Kupës së Botës, slloveni Primozh Gilha që është trajner i përkohshëm me shumë gjasa nuk do të konfirmohet në stolin e Dardanëve me drejtuesit e FFK që janë në kërkim të një emri të madh.
Duke iu referuar një postimi të gazetarit sportiv dhe komentatorit të RTK-së, Andin Lokaj, në skenë për stolin e Kosovës ka dalë Marco Van Basten. Ish-legjenda e Milanit dhe kombëtares holandeze që nga 2016-të nuk ulet në stolin e një skuadre kur ishte asistent i parë te Holanda, por emri i tij është vërtet sugjestionues për një përfaqësuese si Kosova.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi së shpejti pritet të nisë bisedimet me Van Basten për të parë mundësitë e uljes së tij në stolin e dardanëve, edhe pse në krye të listës për të zëvendësuar Bernard Challandes është një emër i madh gjerman ish-trajneri i Bayern Munich Felix Magath. Van Basten i cili në karrierë ka fituar Topin e Artë, Champions League dhe kampionatin europian me Holandën, si trajner ka punuar me vetëm tre klube në Holandë Ajax, Hereenven dhe AZ Alkmaar ndërsa ka drejtuar edhe përfaqësuesen e tulipanëve nga viti 2004 deri në 2009-ën.























