Alves refuzoi oferta nga Meksika për tu rikthyer te Barça
Mbrojtësi brazilian Dani Alves është rikthyer te Barcelona pas pesë viteve që kur ishte larguar nga “Camp Nou”, dhe tani e ka bërë të qartë që opsioni i tij i vetëm ka qenë Katalunia edhe pse kishte pasur oferta për të kaluar në Ligën e Meksikës.
Mbrojtësi veteran kishte fituar plot 23 trofe gjatë aventurës së tij të parë me “Blaugranët, ku kishte qenë pjesë e formacioneve legjendare nën urdhrat e trajnerëve si Pep Guardiola e Luis Enrique.
Tani, Alves është rikthyer te Barcelona që t’i ndihmojë klubit brenda dhe jashtë fushave për të kaluar krizën që e ka kapluar, dhe për tu bashkuar përsëri me ish-bashkëlojtarin e tij Xavi, ku ky i fundit u rikthye te gjigandi katalunas në detyrën e trajnerit.
Dëshira e Alves për tu rikthyer në Barcelonë ishte aq e madhe sa që mbrojtësi brazilian kishte refuzuar dy oferta nga klubet e Ligës së Meksikës, ku njëra nga to ishte marrëveshje dy vjeçare me një pagë më të mirë se ajo e tanishmja te Barça.
Alves e kishte bërë të qartë që nga fillimi se preferenca e tij është që të rikthehet te Barcelona, ku ylli brazilian nuk ka ngurruar të pranojë faktin që kishte ëndërruar për një aventurë të dytë në stadiumin “Camp Nou”.























