Komunitetet - Të diskriminuara edhe gjatë pandemisë
Venera Xhoxhaj Adili
Gjendja socio ekonomike e qytetarëve të komuniteteve Rom Ashkali dhe Egjiptian ka ndikuar që ata të mos përfitojnë të mirat nga shteti as në kohë pandemie.
Për këtë arsye u angazhuan organizata të ndryshme në vend që fillimisht t’u japin informacione derë më derë qytetarëve të këtyre komuniteteve për të mirat e vaksinimit kundër COVID19 për t’i asistuar më pas edhe në ndarjen e termineve dhe imunizimin. Zbatimi i planit nga OJQ-të nuk ishte aspak i lehtë kur u kërkua ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë e cila vonoi në procedura.
Jeta e tyre nuk është aspak e lehtë. Kushtet dhe mënyra se si jetojnë shumë prej qytetarëve të komuniteteve Rom Ashkali e Egjiptian është shumë e vështirë për t’u përballuar.
Premtime të parealizuara për ngritjen e mirëqenies kanë lënë këta qytetarë që llogaritë t’i faturoj në kurriz të vetin.
Madje edhe ndihmën që s’ka çmim nuk arrijnë t’a përfitojnë për shkak të mungesës së informatave dhe integrimit të dobët në shoqëri.
Kësisoj ata për një kohë të gjatë nuk shprehën interteresim as për imunizim me vaksinën për COVID 19 në mungesë të fushatave dhe shtrirjen e informative të sigurta nga institucionet e shtetit. Për të ndryshuar këtë situatë u aktivizuan Organizata të tjera në vend.
Muhamet Arifi, Drejtor i Balkan Sunflowers ka thënë se pandemia ka krijuar shumë probleme në përgjithësi e për komunitetet në veçanti.
“Pandemia ka krijuar shumë probleme dhe një prej tyre është edhe situata socio-ekonomike. Pas kësaj është vështirësu edhe gjendja e komuniteteve Rom Ashkali dhe Egjiptian kjo ka ndiku me pas qasje të limituar në media dhe ato që i kanë pas i kanë pas kryesisht në media sociale dhe ato kanë ndiku negativisht me lajme të rrejshme që mos me marrë vaksinën . Kështu që ne duke falënderu UNICEF-in kemi fillu një projekt në shtator me disa vullnetar nëpër komuna të kosovës në 13 komuna me 31 vullnetarë që janë trajnu për efektet e mira të vaksinës dhe ata kanë dalë në teren për me i informu qytetarët e komuniteteteve Rom Ashkali e Egjiptian për me marr informata për rëndësinë e vaksinimit”, ka thënë ai.
Mihrije Berisha është një nga punëtoret e terenit në imunizim për COVID 19 që për disa muaj ka vizituar dhjetëra shtëpi për t’I informuar rreth vaksinës qytetarët e komuniteteve.
“Jemi në teren prej shtatorit projekti ka qenë fillimisht 3 muaj por me mundësi vazhdimi por që nuk e dijmë ende sa vazhdon. Nuk ka qenë e lehtë për me dal shtëpi për shtëpi me i vizitu sepse komuniteti ka qenë i ndikuar prej rrjeteve sociale dhe i kanë pas ato dilemat se nuk bënë me u vaksinu nuk është e mirë për shëndetin dhe nuk janë bind me e marr vaksinën”, u shpreh ajo.
Berisha thotë se nuk ishte aspak e lehtë qasja të këto familje pavarësisht afërsisë që kishte me ta.
“Moshat ma të vjetëra na kanë prit ma mirë. Te të rinjtë ka qenë ma problem sepse i përdorin më shumë rrjetet sociale. Ka pas raste që na kanë prit shumë mirë dhe mezi kanë prit me bë terminin dhe me shku me marrë vaksinën por ka pas raste kur është dasht me shku disa herë deri sa janë pranu me u imunizu. madje ka pas raste që nuk na kanë leju fare me hy brenda por me kalimin e kohës janë vetëdijësu” , ka shtuar Berisha.
Ndërsa Arifi tregon se për të lehtësuar punën janë angazhuar pikërisht vullnetarë nga komunitetet.
“Ne i kemi punësu njerëzit të komuniteteve Rom Ashkali dhe Egjiptian dhe ata e kanë ditë saktësisht se kush ku jeton dhe kjo është e mirë sepse ata shtëpi për shtëpi kanë bërë vizita. Çka kanë ndihmu drejtoritë për shëndetësi nëpër komuna është se kur kemi bërë imunizimin na kanë ofru autobusin falas disa herë kurdo që ka pas nevojë për me i bartë njerëzit. Kjo ka qenë ndihma më e madhe që mos me pas kosto. Tjetër çka na kanë ndihmu është se kur kemi shku në qendrat e imunizimit dhe i kemi dërgu 20 emra për me i regjistru ata e kanë regjistru menjëherë sepse kjo ka qenë problem dhe trajtimi gjithashtu ka qenë i mire”, tha ai.
Madje përfaqësues të këtyre organizatave që po bëjnë punë në teren tregojnë se u ballafaquan me sfida të ndryshme deri në nisjen e realizimit të projektit për të ndihmuar komunitetet.
“Ministria e Shëndetësisë ka pas vështirësi. Parimisht kur jemi regjistru si organizatë në sistemin online për me marr leje për me bo termine nuk kemi marrë përgjigje diku 4 muaj dhe pasi kemi marrë përgjigje kanë kërku dokumente të cilat janë plotësu dhe ende nuk kemi marrë përgjigje kështu që në këtë aspect për mekanizmat që dëshirojnë me i ndihmu qytetarët ka dështu por përndryshe kurdo që kemi pas nevojë për asistencë kanë qenë aty edhe pse me pak vonesa. bashkëpunim të mirë kemi pas me drejtoritë komunale për shëndetësi. Shteti i Kosovës duhet me bo shumë ndryshime si në shëndetësi edhe në arsim sepse duhet me i parandalu lajmet e rrejshme sepse ato kanë ndiku shumë negativisht të të gjithë. Nuk e di nëse mund të bëjnë diçka sepse është problem gjithandej por edhe duhet me promovu sa më shumë të mirat e vaksinimit dhe duhet me i tregu dëmet e mosvaksinimit. Qytetarët nuk kanë informata të mjaftueshme përveq raportit ditor të IKSHPK-së, nuk ka pas shumë video që e prekin qytetarët e aq më pak me komunitetet Rom Ashkali e Egjiptian. me ndonjë video pak më ndryshe që i prekin pikpamjet e tyre”, ka theksuar Arifi drejtor në Balkan Sunflowers.
Se kanë munguar fushatat vetëdijësuese në vecanti për grupe të caktuara të qytetarëve e thonë edhe nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve.
“Parimisht konsiderojmë se kanë munguar informatat për të gjithë sidomos për komunitetet Rom, Ashkali e Egjiptian duke pas parasysh edhe mënyrën se si ata jetojnë dhe se sa kanë qasje në mjetet e informimit dhe se sa kanë qasje në teknologji për ne caktu termine dhe kjo i ka pengu me pas qasje në vaksinë dhe mungesa e informative relevante për ta ka nxit edhe dezinformata që ka ndiku edhe në dëmtimin e shëndetit të tyre ndoshta edhe me jetë. Ne kemi pas një hulutmim në regjionin e Prizrenit ku kanë mendu se njerëzit mund edhe të ju vrasin nëse shkoni në spital dhe kjo I ka nxit qytetarët që të mos qasen në shërbimet shëndetësore. Organizatat ndërkombëtare dhe vendore janë ato që i ndihmojnë Ministrisë së Shëndetësisë e cila në fakt duhet të kishte një plan të qartë për secilin qytetarë”, ka thënë Besim Kodra nga Prak.
Pamundësia për të marrë informacione të sakta rreth shërbimeve shëndetësore përveq tjerash konsiderohet të jetë shkelje e të drejtave të njeriut.
“Mungesa e informative relevante për sëmundjen dhe për trajtimin e sëmundjes, për trajtiin dhe për qasjen dhe shfrytëzimin e shërbimeve shëndetësore paraqet një shkelje të të drejtave të qytetarëve dhe këtu më të atakuar janë komunitetet të cilat e kanë mangësi qasjne në të dhënat shëndetësore dhe për mënyrës se si mund t’i shfrytëzojnë ato dhe mungesa e informative i ka penalizuar ata. Ministria duhet të ketë plane se si të stimuloj grupet që kanë rezistencë ndaj vaksinës. Këtu janë edhe komunitetet edhe grupe të tjera si për shembull qytetarët që jetojnë në vise më të thella të cilët edhe për shkak të largësisë kanë pas vështirësi të qasen. Për mua ka qenë e pakuptimtë të bëhen ekipe mobile për vaksinime e të njëjtit të dalin në sheshe të qyteteve. Është dashur që të njëjtit të shkojnë në vise më të thella dhe të bëhen për grupe të njerëzve që janë rezistencë ndaj vaksinës”, ka shtuar Kodra.
Ndërkohë Muhamet Arifi nga Balkan Sunflowers mendon se duhen më shumë masa obligative për të gjithë qytetarët.
“Nuk janë të gjithë njëjt ka raste që bindet shpejtë por ka raste që duhet kohë me i bind dhe të tjerë që nuk na kanë lënë fare me hy brenda. Krejt kjo për shkak të lajmeve të rrejshme se vaksina nuk është e mirë se nëse e merr s’mundesh me lind fëmijë, vdesin njerëz, ka tjetër virus dhe të tjera të ngjashme. Shpresoj se qerveria të merr masa të tjera oligative edhe pse disa janë si ato që nuk lejohen disa vende të frekuentohen pa vaksinë, nuk mund të shkosh në vendin e punës por fatkeqësisht një përqindje e madhe e komuniteteve nuk punojnë dhe nuk e shohin këtë masë si obligative, kështu që janë disa faktorë që po ndikojnë që mos me marrë vaksinën”, thekson ai.
Ndryshe nga institucionet, organizatat që u dolën në ndihmë këtyre familjeve kanë arritë të kontaktojnë mijëra qytetarë të komuniteteve.
“I kemi informuar, ju kemi ndihmuar me bë termine online ku ka pas vështirësi, e kemi marrë listën e qytetarëve dhe e kemi dërgu në qendrën e vaksinimit dhe janë regjistru si grup ndërsa më pas i kemi motivu me shku vet në qendrat e vaksinimit e nëse ka pas vështirësi kemi organizuar edhe ekipe mobile në lokacionet afër tyre dhe në këtë rast i kemi prek diku rreth 10 mijë persona ndërsa tani diku 2500-2600 persona janë imunizu. Kjo është pak diku 25 % por gradualisht numrat po rriten dhe njerëzit e kanë pa rëndësinë e vaksinës dhe tash po na thërrasin dhe janë duke u imunizuar”, ka treguar Arifi derisa punën më të madhe e kishin barrë vullnetarët në teren.
“I kemi caktu terminet dhe kemi shkuar nëpër qendrat familjare I kemi bërë grupe diku në 15 ose 20 persona dhe ju kemi tregu kur e kan terminin dhe në mënyrë të organizuar me komunën e Fushë Kosovës I kemi dërgu për vaksinim dhe njëjt ka ndodh edhe me dozën e dytë”, është shprehur Berisha.
Projekti që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për qytetarët në përgjithësi e komunitetet në veqanti do të vazhdoj në mënyrë që të arrihet sa më shumë shtrirje e qasjes në informata dhe në shërbime shëndetësore.























