Messi rrëfen jetën e re në Paris dhe favoritët e Ligës së Kampionëve
BKT
Sport

Messi rrëfen jetën e re në Paris dhe favoritët e Ligës së Kampionëve

Leo Messi (Rosario, 1987) ka mirëpritur gazetarët e “Marca” në shtëpinë e tij të re në Paris, me rastin e të tetit “Pichichi” (Këpuca e Artë) që arriti sezonin e kaluar me Barcelonën.

Ai duket i lumtur dhe tashmë i përshtatur me jetën e re. E ka kthyer faqen dhe tashmë është i fokusuar në arritjen e objektivave me ekipin parizien. Një PSG që e sheh si favorit për të fituar Ligën e Kampionëve, edhe pse e pranon se kanë shumë punë përpara. Si një mik i tij i mirë, ai i uron Xavit suksese në fazën e re si trajner i Barcelonës. Ai është i bindur se Barça do të rritet me të.

U larguat nga La Liga, por duke lënë rekorde që mund të mos arrihen më kurrë…
Sot, duke qenë në Paris, nuk iu jap vlerën që kanë realisht. Ne luajmë një ndeshje çdo tri ditë dhe nuk kemi kohë të mendojmë për këtë. Njëri fokusohet në përballjen që po vjen dhe në arritjen e sfidave dhe objektivave që i kemi vënë vetes. Nesër, në pension, kur të filloj të shoh të gjitha rekordet që pata fatin t’i arrij, atëherë do t’iu jap vlerën që kanë realisht.

Jeta juaj e re në Paris…
Jemi përshtatur tashmë, kemi një shtëpi, shkolla e fëmijëve është zgjidhur. Dalim me Antonelën për darkë, edhe ajo po ambientohet. Tani jam shumë mirë. Jam përshtatur plotësisht pasi hymë në shtëpinë tonë të re dhe fëmijët filluan shkollën e rutinën e tyre të përditshme. M’u desh të bëja edhe shumë udhëtime në Argjentinë për kualifikueset e Botërorit.

Si ndihen fëmijët tuaj, a kanë filluar me frëngjishten?
Ishte shumë më e lehtë nga sa e imagjinonim në fillim. E kishim menduar shumë dhe sa e vështirë do të ishte për ta. Në fund ishin ata që u përshtatën më shpejt. Ata tashmë shkojnë në shkollë dhe me siguri do të mësojnë shumë shpejt frëngjisht, sepse kur vjen puna për të mësuar, fëmijët fluturojnë. E gjithë kjo na ka dhënë një qetësi të madhe shpirtërore, si për Antonelën, ashtu edhe për mua. Kemi parë që shumë shpejt janë përshtatur me qytetin dhe vendin e ri.