Bisedimet dhe marrëveshjet iu paraprijnë ndryshimeve…
Sharr Travel

Bisedimet dhe marrëveshjet iu paraprijnë ndryshimeve…

Bisedimet i paraprijnë ndryshimeve, që me anë të përafrimeve dhe lehtësimeve të përgatisim terrenin, që askush nuk mund të na ndalojë, Bashkimin Kombëtar.

Realisht jemi në një situatë “de facto” “de jure” me atë se çfarë duam, dhe atë se çfarë përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, konkretisht, neni 1 paragrafi (3), specifikon qartë se:
Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjesë të ndonjë shteti tjetër, dhe nuk do të kërkoj të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. Këtu lind menjëherë ideja për ndryshime në Kushtetutë, që duhen 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, gjithsej (80), duke përfshirë edhe 2/3 e votave nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Aktualisht në këto kushte dhe rrethana politike që jemi, është e vështirë të arrihet, sepse duhen edhe votat e deputetëve nga ana e Listës Serbe. Së pari do të duhej të ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare, që të kemi mundësi, të krijojmë kushte për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe të miratohet Ligji për Referendum. Për të gjitha këto ndryshime duhet angazhime dhe vite të tëra.

Mendoj se do të ishte detyrë primare e politikanëve tanë, në veçanti e pushtetit ekzekutiv, që pikë së pari të heqin barrierat që janë pengesë për Bashkim Kombëtar, pastaj të shtrohet debati, që është ëndërr shekullore e të gjithë shqiptarëve.

Përndryshe, Abetarja e Përbashkët për dy shtetet shqiptare, Kosovë-Shqipëri që u promovua në vitin 2012 nga liderët shqiptarë të dy shteteve, në kryeqytetin historik në Prizren, solli unifikimin në mes të dy shtetve, që nga sot po jetësohet.

Qarkullimi pa ndalje, Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas, vetëm me regjistrim të kamerave që kalon përmes leximit të targave, në mënyrë automatike në kufi, si e panevojshme, ka qenë e domosdoshme kohë më parë. Dy hapa të rëndësishëm për të festuar ditët e krenarisë kombëtare.

Gëzuar 28 nëntorin Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë!

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ishte fryt i peripetive dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve dhe UÇK-së, ngjarje që i japin kuptim Flamurit si simbol kombëtar!

Urime dhe gëzuar Ditën e Flamurit