Hipokrizia (rrjedhë nga hipokracia) e doktorit
Ballsor Hoxha
Ka dy cilësi që janë të paikshme, të përbashkëta, universale, dhe po ashtu njëlloj uniforme e doktorit!
1. narcizmi i tyre, i shprehur në vetëbesimin, në sjelljen, në ikjen (në pasive dhe aktive) e reales!
Në afërsi të doktorit, jemi të mangët, të ligë, aq më shumë të pamjaftueshëm për veten. Jemi të sëmurë, nga çdo gjë derisa jemi nën pushtetin e ndihmës së tyre. Ndihma e tyre është edhe pushtet, por edhe kufi në të cilin thjeshtë nuk je – normal -.
2. Vrasësi në ta! I shprehur në vetëbesimin, në pushtetin dhe në ‘qeverisjen’ e njeriut, në shëndet, trup e në psikë!
Në afërsi të kësaj cilësie të doktorit, ne jemi të sëmurë. Ne jemi të përjashtuar, me automatizëm, jemi jashtë – normales -. Ne jemi, me automatizëm, të nënshtruarit ndaj tij, dhe jemi, po ashtu, të varurit e tij.
Por, në të dy rastet, në jemi jo – normal -!
Atëherë çka është – normal - -kalon në territorin ku çdo gjë është e prerë si xham, si mur, si kufi i pakalueshëm, ndërmjet doktorit, i cili në përvojën e tij, në dijen e tij (qoftë nga Beogradi apo nga Shqipëria, duke qenë se në Kosovë nuk ka një mjekësi të themeluar dhe të vendosur), pra në këtë kufi/pushtet të tij ne nuk takojmë, apo takojmë sa më të sëmurë, sa më afër vdekjes, sa më të pandihmë. Derisa në anën tjetër, ne aty ku takojmë, jashtë territorit të aftësisë së doktorit – normalen – jemi të gjithë potencial. Potencial, ose monetar, ose të lavdisë e të -kalimit në zot, të tij/saj, doktorit, doktoreshës.
A është ky raport, balans, jo lavjerrës, kufi i prerë, ndërmjet – normales – të zotëruar nga doktori, dhe të ligës në njeriun (cilindo qoftë e të gjithë!)?
Në të vërtetë, nëse ka vetëm një të mirë, më falni, një – normale – të doktorit, si është ajo? Kush vendos cila është ajo? Çka është ajo? Dhe si është ajo? Sigurisht – doktori! Sepse ai e di çka është shëndeti, e shëndeti, i vetmi qëllim i njeriut. Do të thotë, njeriu është i veçuar nga e mira, nga – normalja – e doktorit. Për ta potencializuar, në pushtet ekonomik të mjekësisë, në pushtet moral e etik të mjekësisë, dhe aq më shumë në kufizim të territorit të mjekësisë/doktorit, por vetëm për vete, dhe ndoshta për të dashurit e tij/saj.
Shih, doktori, nëse ka edhe narcizmin, po ashtu edhe licencën për të vrarë (epse puna e tij nuk e dallon shumë nga vrasësit në mesin tonë), apo thënë më thjeshtë për të prerë trupin e një foshnje, dhe në këtë territorin e tij/saj – normalen – ai, a nuk është një zot? Zot?
Por, shih, nëse doktori -kaloi/kalon në zot, duhet qëmtuar këtë, çarë sipas mënyrës si sot mendojmë e veprojmë:
Zoti – i fshirë në prezencën tonë, si opium masash, si përbashkim i qëllimshëm i njeriut/shoqërisë, që do të thotë shndërrim të tij në një qëllim ‘pozitiv’, dhe aq më shumë i qerthulluar në religjione vrasëse e vetëvrasëse, nga ai që ishte për njeriun e veçuar derisa -kalonte nga truporja në psikën njerëzore, pra ai parak (Moisiu, Abrahami etj), shpërfaqet pikërisht në gjurmën e doktorit, si zot. Shpërfaqet pikërisht në gjurmën e Astra-zenekas dhe Phizzer, si shpëtim! Jo vetëm i të sëmurëve, por edhe të njerëzimit!
Sa është, apo, a mund të jetë, Phizzer, apo Astra – Zeneca, më e afërt me shenjtërinë mesjetare, e më tutje, apo me vetë- dorën – zotit. Në të vërtetë, me pak guxim mund të pyetemi, cila është më e shenjtë sot? Dora e zotit, apo vetë vaksina anti – Covid?
Në përvojën personale (duke qenë se po provoj të jap fakte sa më reale) doktori më shikonte me përçmim për sëmundjen në të cilën isha kurthuar. Apo, një doktor tjetër, ende pa i ditur simptomat, e dinte diagnozën time. Apo në të vërtetë kishte harruar se në mes ne të dyve kishte një tentim vetëvrasjeje.
Por, gjithnjë duke iu referuar Derrida, pra si (deluzion) referencial, le të pyetemi për fund të pjesës së parë mbi doktorin: hipokrit dhe hipokrat, pse janë kaq të afërta. Pse në -kalimin poetik, si e vetmja gjuhë e cila e njeh të pathënshmen e njeriut, të këtyre dy nocioneve, kemi një pandashmëri, nëse jo në literalen e tyre, së paku në këtë që u tha më sipër: vrasësin – doktorin, dhe shpëtimtarin – doktorin!!























