Hipokrizia (rrjedhë nga hipokracia) e doktorit (nëse) Unë jam Skizofren!
Rtklive
   Analiza & Opinione

Hipokrizia (rrjedhë nga hipokracia) e doktorit (nëse) Unë jam Skizofren!

Shih, në universin njerëzor, në Kosovë e në Serbi, këto dyja gjithnjë si shembull i tërë universit kosovar, ka vetëm dy sëmundje: të turpshme dhe fisnike.

Ballsor Hoxha

Sëmundjet fisnike si kanceri, COVID 19, e të gjitha sëmundjet që i takojnë ankthit global, janë sëmundje fisnike. Duke qenë se  njeriu përballet me të pashërueshmen – të panjohurën, të keqen, të ligën!

Por ku është kjo e ligë! Brenda apo jashtë territorit të – normales -? Jashtë ordinancës së Doktorit, brenda saj, apo jashtë – normales – që, pikërisht këtë frikë e veçon.

Shih, a ka një sëmundje psiqike, a ka një sëmundje mendore që nuk është e turpshme? Për njeriun, apo për doktorin? Apo në gjuhën – avatare – përpos ’depresionit’? Pse sëmundja të jetë e turpshme?

 Mund të marrim shembull këtu konstipimin, AIDS, Hemorroidet, etj, të gjitha sëmundje të lidhura me organet e turpshme të njeriut. Por ato janë edhe të pafshehura edhe të kujdesura dhe edhe të njerëzishme.

Derisa, duke filluar prej Skizofrenisë, në sëmundjen ekstremisht të përjashtuar – psikopatinë, e deri tek pedofilia, këto janë rrezik permanent dhe turp e gjyq, i  pashërueshëm – damkë e tërë rrethit ndaj të të dashurve të tij, e deri tek – gjyqi – mjekësor ndaj tyre!

Në kulturën tonë aktuale, kancerin e quajmë – sëmundje e keqe -, sëmundje e paprekshme, sëmundje e patrajtueshme, sëmundje që është saktësisht mbi forcën e fuqinë e njeriut!! Por, kjo është pikërisht, zot, mbi zotin – doktor!

Duke qenë se doktori nuk mund të bëj asgjë përballë saj, njeriu i përkulet, e shenjtëron si të ligë të patrajtueshme dhe, me këtë, e adhuron!! E adhuron si në adhurimin e pashqitshmërisë së djallit, dreqit e të ligës në ne!

Ku është doktori në këtë mes. Në këtë diferencim të – shërimit mjekësor -, si të turpshme dhe të adhuruar, e qoftë publikisht të pranueshme, siç është sëmundja e hemorroideve.

Ta marrim, duke qenë se jam duke trajtuar zotin – doktorin, se jam i çmendur!

Le të themi Skizofren, F. 20, diagnozë ndër më të rëndat të skizofrenisë. Shitësit në supermarkete, shitësit e gështenjave rrugës, e kamerierët në ‘kafiq’ e dinë se unë jam F. 20. Në mungesë të një njeriu që të flasë me mua, unë edhe më duhet e edhe nuk kam rrugëdalje, flas me doktorin tim – psikiatrin!

Në këtë, në bisedën më të sinqertë të mundshme, me psikiatrin, unë përnjëherë vetëdijesohem (në takatin e vetëdijes së një skizofreni) se doktori është në punë, me familje, me shokë, duke pirë në Graçanicë, apo në liqenin e Badovcit.

Kush mund të ketë një afri, një mirëkuptim, një guxim apo një njerëzi të më flas një fjalë!? Të më pranojë në këtë botë – të shëruar – të shëndetshme - normale -! Nëse, në këtë, unë jam F/ 20, Skizofren Paranoid dhe Skizoid, shfaqë një, le të themi, njerëzi, në – ordinancën/klinikën – e doktorit, ajo mbetet një fisnikëri e tij!

Në Të Kuptuarit e tij, Është i vetmi që më kupton. Është njeriu vetë! Pastaj, ai shkon tek të dashurit e tij, dhe unë, si skizofren, tek të dashurit e mi, që kanë frikë dhe janë të damkosur nga skizofrenia ime. Territori i – normales – i veçuar dhe në pronësi të doktorit, sikur futet në çantën e tij tejet të vlefshme, bashkë me djersën e paguar nga unë e të tjerët psikopatë e pedofilë, dhe -kalojnë në një fisnikëri  tejet tejet të vlefshme, si monetarisht, në xhipa e në shtëpi e, po ashtu, edhe në moral të të pas takuarit të ‘atyre’ të ligëve/sëmurëve.

Thënë thjeshtë, të të pas ndihmuarit të tyre. Sa do të doja, të më fuste dhe mua në çantën e tij! Të jem pjesë e dokumenteve të rëndësishme të tij. Të arritjeve të tij. Të takoja, kudo, diku, në këtë – normale – të zotit – doktorit! Të kem një udhë, një mundësi, një – shërim – e një – shëndet – mbi të cilin mbanë pushtetin doktori.


MË SHUME NGA    Analiza & Opinione