PSRK akuzon një person se mori pjesë aktvishit në veprimtaritë e ISIS-it
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të martën, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit me inicialet K.D.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se K.D. akuzohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se i pandehuri i lartcekur me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që me bashkëshorten i është bashkangjitur luftëtarëve të organizatës terroriste, militante, ekstremiste “ISIS” (Islamic State of Iraq and the Sham), duke marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizate si trajner i snajperistëve. Më pas i pandehuri K.D., është arrestuar dhe është burgosur nga Forcat Demokratike Siriane, kurse më datë 17 korrik 2021, në mënyrë të organizuar është transferuar në Kosovë.”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi























