Franca e sheh Ballkanin si një faktor kyç të stabilitetit të Europës
   Analiza & Opinione

Franca e sheh Ballkanin si një faktor kyç të stabilitetit të Europës

DRITAN HOTI

Në vigjilje të kryesimit të radhës së Bashkimit Evropian nga Franca, presidenti i saj, Emmanuel Macron, artikuloi një formulë interesante gjeostrategjike, e cila nxjerr në pah rëndësinë që ka Ballkani për stabilitetin gjeopolitik dhe sigurinë e Europës.

Macron u shpreh se: “Ballkani është një pjesë e pandashme e Evropës si dhe fuqitë e tjera janë të përfshira aktualisht aty si dhe po orvaten të destabilizojnë Evropën nëpërmjet fuqive rajonale”. Në këtë vazhdë, ai njoftoi thirrjen e një konference BallkanEvropë, e cila do të mbahet në qershorin e 2022, duke konfirmuar kësisoj në një mënyrë afirmative prespektivën evropiane të këtij rajoni. Ky këndvështrim i Presidentit francez tingëllon si i përshtatshëm për një vend, i cili identifikohet me një shkollë autentike të diplomacisë. Dhe kështu ndërtimi i një tradite të një shkolle diplomatike, të cilën Franca dhe Britania e Madhe historikisht e rivendikojnë, mbështetet mbi premisat e mëposhtme:

-Një strukturë autentike e të menduarit që në rastin e Francës asociohet me influencën e sistemit kartezian të Descartes, një formulë racionale e të menduarit, kurse në rastin e Britanisë së Madhe dhe pak më vonë të vendeve të tjera anglosaksone ndërlidhet me një sistem jodogmatik, pra, pragmatik të të menduarit, rrënjët e të cilit gjendet te filozofët e spikatur anglezë.

-Tiparet dalluese që diferencojnë një shoqëri prej të tjerave si dhe eksperienca historike, e cila ndërton një mënyrë të të sjellurit përkundrejt çështjeve të ndryshme ndërkombëtare. Ndërsa Rilindja evropiane zëvendësoi universalizmin e Kishës Katolike, Franca zotëronte një pozitë të konsiderueshme sipas versionit e saj, në civilizimin e ri perëndimor, që është ndërkohë edhe një ndër faktorët kryesorë të ngritjes së saj si fuqia kryesore e Evropës në shekujt XVII-XIX, e mandej si një prej perandorive koloniale të historisë moderne.

-Kështu, racionalizmi kartezian e një lloj cinizmi që i detyrohet përvojës historike, pikërisht superioritetit të saj përgjatë periudhës koloniale, shënjuan stilin e të bërit diplomaci nga ana e Francës. Meqenëse në të shkuarën ka kushtëzuar dhe influencuar drejtpërdrejt sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Evropën Juglindore, Franca ka qenë një ndër aktorët kryesore, kryesisht duke nisur nga periudha e para Luftës I Botërore dhe deri në vitin 1939 në procesin e përcaktimit dhe vazhdimësisë së shtetformimit në këtë rajon, ndër të tjera sponsorizuesja kryesore e ndërtimit të Jugosllavisë.

ADVERTISEMENT

Teksa përmbajtja e sistemit ndërkombëtar të Luftës së Ftohtë ishte e ndryshme nga ai viteve 1919-1939, rrjedhojat e dy luftërave botërore e zhvendosen pozitën e Francës në atë të një fuqie të mesme, aksioni i diplomacisë së saj në Ballkan kufizohej në investimin e rrjeteve të caktuara intelektualo-politike frankofile në mbështetje të shtrirjes së influencës së saj, si dhe në ruajtjen e disa piketave diplomatike që u përkonin qëndrimeve të saj historike.

Në epokën tonë kur edhe një herë tendencat e sistemit aktual ndërkombëtar që nënkupton rivalitetet në rritje ndërmjet superfuqive të kohës sonë, dy superfuqive teknologjike, SHBA-ve dhe Kinës, si dhe një superfuqie kryesisht me karakter ushtarak dhe me politikë të jashtme tradicionale, Rusisë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, me të drejtë u shpreh se “Ballkani është në zemër të Evropës dhe se nga qëndrueshmëria e këtij rajoni do të varet edhe stabiliteti i Evropës në 50 vitet e ardhshme”.

A përputhen deklaratat me përmbajtje strategjike të Macron-it me aksionin aktual te diplomacisë franceze në Ballkan? Vetëm një vit më parë, vetë Presidenti Macron pa u konsultuar me aleatët e tjera evropiane i dha një përkrahje të pakushtëzuar Greqisë, në tensionet e saj më të fundit me Turqinë në lidhje me atë që diplomacia franceze e cilësonte: “La doctrine de la Patrie bleue d’ Erdoan” (Doktrina e atdheut blu e Presidentit Erdoan), që kishte në fakt të bënte me kërkimet sizmike turke në Mesdheun Lindor, duke ngritur shqetësime se kjo ishte një manovër testuese e Erdoanit në funksion të zhbërjes se realitetit aktual në Mesdheun Lindor me pasoja të mundshme në tri kontinente (Ballkan-Evropë, Lindje e MesmeAzi si dhe Afrika Veriore).

Mirëpo, pozicionimi unilateral i Francës në favor të Greqisë në një kohë kur diplomacia amerikane, britanike apo gjermane adoptuan qëndrime më të matura si dhe afishuan konsiderata gjeostrategjike disi të ndryshme me ato franceze, rrezikuan ta shndërronin çështjen e marrëdhënieve turko-greke dhe si rrjedhojë atë të Mesdheut Lindor në një casus (rast) të rivaliteteve dhe interferencave diplomatike si ato të shekullit XIX.

Në lidhje me problematikën serbe, aq e përfolur aktualisht në Ballkanin Perëndimor, Emmanuel Macron ishte Presidenti i dytë francez pas Jacques Chirac në 2001,që vizitoi zyrtarisht Serbinë në vitin 2019, ose siç e cilësonte një ekspert francez i dosjes së raporteve franko-serbe: “Kjo vizitë përfaqëson një gjest specifik franko-serb dhe ka një përmbajtje emocionale” (shih: Jean Domenique Merchet; Emmanuel Macron est-il pro serbe).

Presidenti francez, artikuluesi i kësaj formule me një përmbajtje të një vizioni strategjik që ndërlidh fatin e Evropës me Ballkanin në 50 vitet e ardhshme, u konsiderua nga disa liderë europiane prozgjerimit, si bllokues i çeljes së negociatave të aderimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut 2 vite më parë. Ndërsa vetë Macron, në përgjigje të kritikave ndaj tij, shprehej se: “Nëse ju shqetësoheni për këtë rajon, çështja primare nuk është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por Bosnje-Hercegovina”, të cilën ai e etiketonte si një “bombë à retardement” (bombë me shpërthim të mëvonshëm) si dhe një bazë xhihadizmi mysliman për rajonin e Evropës duke provokuar reagime të flakta nga ana e drejtuesve të Bosnjës, për të cilët kjo deklaratë përligjte tendencat shpërbërëse të Bosnje-Hercegovinës.

Një interpretim dhe përgjigje e pyetjeve të mëposhtme do të qartësonte shqetësimet si dhe seriozitetin e angazhimit të Presidentit francez për marrëdhëniet Ballkan-Evropë:

A do të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në drejtim të BE-së përgjatë presidencës franceze?

A mundet që angazhimi i Presidentit Macron të paqtohet me stilin e piketat e diplomacisë franceze në rajon?

A do ishte e gatshme Franca ta tërhiqte Evropën në një përzgjedhje të aleancave të saj, nëse rivaliteti midis SHBA-ve, Rusisë e Kinës përthellohet edhe më tej në Ballkan?

Përcaktimi i problematikave të mësipërme do t’i japë një përgjigje konsideratave strategjike të Presidentit francez në lidhje me rëndësinë e Ballkanit për Evropën dhe atë se çfarë Evropa nevojitet të bëjë për të. Por përpara se të vijmë aty, Presidentit Macron i duhet të jetë i suksesshëm në sfidën elektorale të pranverës që vjen, aq përcaktuese për ecurinë e karrierës së tij politike./portal.al