Bajrami mahnit Italinë, përfshihet në formacionin e surprizave
BKT
Sport

Bajrami mahnit Italinë, përfshihet në formacionin e surprizave

Nedim Bajrami i ka befasuar të gjithë në Itali. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është përzgjedhur si një nga lojtarët që ka shkëlqyer deri tani duke u përfshirë në formacionin e atyre që nuk priteshin të rrëmbenin skenën e Serisë A.

Diçka të tillë e ka bërë “Gazzetta Dello Sport”, që e ka vendosur fantazistin kuqezi pas shpinës së Simeones dhe Betos.

“Kualiteti dhe teknika nuk i mungojnë. Ndonjëherë harron që t’i përdorë në fushën e lojës, por kur është në ditën e tij Nedim Bajrami bëhet ‘fari’ i Empolit. Me pasimet e tij në thellësi dhe me qarkullimin e topit në mesfushë bën atë që i pëlqen më shumë Andreazzolit të bëjë. Trajneri di ta marrë më të mirën prej tij. E fton që të mos hezitojë, të tentojë goditjet dhe driblimet pa pasur frikë.

Sigurisht që nëse e sheh jashtë forme, e ul me qetësi në pankinë. Modeli dhe idhulli i Bajramit ka qenë Zinedine Zidane, mjeshtri i 30-metrave të fundit në fushën e lojës. Por nga Zidane, Bajrami pëlqen thjeshtësinë dhe finesën me të cilën luante.

Nedimi luan mirë mes linjave dhe gjithmonë u jep një dorë shokëve të skuadrës kur kanë nevojë. Mund të përmirësohet akoma më shumë, sidomos në aspektin e vazhdimësisë. Por mënyra si po e tregon veten në Serie A është e shkëlqyer”, shkruan “Gazzetta”.

Bajrami ka luajtur 15 ndeshje në këtë sezon dhe ka arritur të shënojë 3 gola dhe ka dhënë 2 asiste.

Ky është formacioni i plotë i “Gazzetta Dello Sport”: Vranja, Karsdorp, Martinez Quarta, Theate, Parisi, Frattesi, Busio, Lukic, Bajrami, Beto, Simeone.