Reagon AGK pasi gazetari Kajtazi mori mbi 100 kërcënime
Gazetari i portalit online Paparaci.live, Vehbi Kajtazi, ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës- AGK, për mbi 100 kërcënime që ka marrë pas deklaratave të tij në RTV Dukagjini rreth Grupit të Kumanovës.
“Prej asaj dite kam marrë qindra kërcënime me jetë nga persona të ndryshëm. Këto kërcënime janë nxitur edhe nga reagimet e grupit të dënuar të cilët lirshëm shkruajnë e lidhen me Televizione. Sot, zyrtarisht kam hapur rast në Polici kundër një numri prej 100 personash kërcënimet e të cilëve janë shumë serioze. Me rastin tashmë janë duke u marrë Krimet e Rënda në Polici, sektor ky që po merret me verifikimin dhe hetimin e këtyre rasteve. Numri i rastit të hapur në Polici është 2021 – AB 3245”, ka shkruar Kajtazi në letrën për AGK-në.
AGK dënon fuqishëm kërcënimet me jetë ndaj Kajtazit dhe e fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për të dhe personat e afërt të tij, si dhe të trajtojë me prioritet rastin e paraqitur nga ai.























