Peci: Reçaku, shembulli i projektit serbo-rus për ndryshimin e historisë
Drejtori i institutit “KIPRED” dhe ish-ambasadori Lulzim Peci, ka deklaruar në emisonin Voyage të RTK-së se, “tentimi për ndryshimin e narracionit të masakrës së Reçakut është qëllim i lidershipit të Serbisë, që nga mbarimi i luftës dhe është politikë zyrtare e Serbisë për të ndryshuar narracionin e gjithë luftërave në ish-Jugosllavi”.
Më tej, Peci ka thënë se, në këtë drejtim, Serbia po punon sëbashku me Rusinë, sepse edhe Rusia është duke treguar tendenca për ndryshimin e narrativit të luftërave në Kosovë, BeH dhe Kroaci dhe në përgjithësi në ish-Jugosllavi.
Emisioni “Reçaku, propaganda dhe mohimi i një krimi”,paraqiti dëshmi të ngjarjeve të masakrës së Reçakut dhe tendencat e Serbisë dhe Rusisë për ndryshimin e narracionit të masakrës së Reçakut, luftës së Kosovës dhe gjithë luftërave në ish-Jugosllavi.
Kjo tendencë theksohet përmes deklaratave më të fundit tëMinistrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili e ka quajtur masakrën e Reçakut “gënjeshtër dhe shpikje” ndërsa intervenimin humanitar të NATO-s “agresion”. Këto deklarata kanë nxitur reagime të mëdha në Kosovë, rajon dhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Ambasadori Lulzim Peci ka theksuar se Serbia dhe Rusia i përdorin këto narrativa kundër Kosovës edhe në deklarime dhe takime zyrtare. Ai madje ka shprehur habinë me reagimet e pakta dhe të vonuara të bashkësisë ndërkombëtare, ndaj deklaratave si ajo e Vulinit kundër Reçakut edhe pse edhe vetë bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka qenë e atakuar nga deklarimet e Serbisë.
Ai ka shtuar se “Serbia i përdorë këto deklarata tendencioze konsum për opinionin e brendshëm serb, pasi që sipas tij Serbia nuk ka arritur të largohet nga mentaliteti i nacional fashizmit të kohës së Millosheviqit”.
“Njeriu i cili ishte në krye të propagandës së Millosheviqit, Aleksandar Vuçiqi, sot është në krye të Serbisë dhe se mentaliteti i politikës në Serbi nuk ka ndryshuar, por kanë ndryshuar vetëm mjetet për realizimin e saj’, ka thënë Peci.
Sylejman Kllokoqi kameraman i agjencisë së lajmeve “The Assoicated Press”, duke komentuar tendencat serbo-ruse për tregimin e Reçakut, ka deklaruar se “është e pamundur ndryshimi i narracionit për masakrën e Reçaku. Kjo për shkak të pranisë së madhe të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE dhe mediave ndërkombëtare të cilat ishin dëshmitarë të sulmeve të forcave serbe ndaj civilëve në Reçak”.
Kllokoqi ka treguar përvojën e tij kur ka parë për herë të parë trupat e civilëve shqiptarë të masakruar nga forcat serbe në Reçak. Ai ka treguar se ka përcjellë në kohë reale të gjitha imazhet të cilat pastaj janë shpërndarë në mediat botërore dhe se Masakra e Reçakut është njëra prej masakrave dhe krimeve serbe më të dokumentuara.
Regjisori Ismet Sijarina ka folur për rëndësinë e dokumentimit përmes imazheve të ngjarjeve si ajo e Reçakut. Duke folur për iniciativat e ndryshme për lansimin e filmave për luftërat në ish Jugosllavi, regjisori Sijarina ka shpjeguar rolin e kinematografisë në krijimin dhe ndikimin e opinionit publik dhe narracioneve.























