Kosova e Danimarka nënshkruajnë marrëveshje në fushën e energjisë
BKT
Lajme

Kosova e Danimarka nënshkruajnë marrëveshje në fushën e energjisë

Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për investime në energjinë e ripërtërirë dhe bashkëpunimin politik.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe homologu i saj danez Flemming Moller Morteensen, ministër i Bashkëpunimit Zhvillimor.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja Rizvanolli tha se kjo marrëveshje hap rrugën për një bashkëpunim më të thellë ekonomik dhe në fushën e energjisë për dy shtetet.

Rizvanolli u shpreh se sektori i energjisë përballet me sfida të shumta dhe kriza e fundit energjetike ka treguar brishtësinë e sistemit energjetik në Kosovë. Ajo tha se kriza energjetike ka treguar se sa e rëndësishme është që të ketë siguri të furnizimit dhe të ketë diversifikim të prodhimit të energjisë elektrike.

“Në strategjinë tonë të energjisë 2022-231 diversifikimi i burimeve të energjisë me fokus të veçantë në rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtërirë të energjisë në prodhimin e energjisë elektrike janë ndër qëllimet kryesore të kësaj strategjie. Ne do të jemi ambicioz në këtë aspekt duke synuar që deri në vitin 2050 ta de-karbonizojmë sektorin e energjisë. Për ne si shtet ky tranzicion energjetik do të jetë sfidues, nga ana tjetër e kemi Mbretërinë e Danimarkës, e cila është një ndër shtetet liderë në kuptim jo vetëm të vënies së objektivave ambicioze për mbrojtje të klimës dhe për energji të ripërtërirë, mirëpo edhe për hulumtim e zhvillim në këtë fushë dhe në gjetjen e zgjidhjeve dhe implementimin e zgjidhjeve për të rritur pjesëmarrjen e burimeve të ripërtërirë. Andaj, konsideroj që të kemi shtetin e Danimarkës përkrah në këtë tranzicion, të kemi një bashkëpunim më të thellë me ta në fushën e energjisë do të jetë tejet e rëndësishme për ne si shtet të na e bëjë më të lehtë këtë tranzicion energjetik”, tha Rizvanolli.

Ministri për Bashkëpunim Zhvillimor në Danimarkë, Flemming Moller Morteensen, tha se sot është ndërmarrë një hap shumë i rëndësishëm për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve. 

“Do të punojmë për së afërmi së bashku në agjendën e gjelbër, përshirë në eficiencën e energjisë dhe burimet e ripërtërirë të energjisë. Kam kënaqësinë që Danimarka mund të mbështesë Kosovën së bashku me partnerët ndërkombëtarë, shumica e kornizës sonë për pesë vitet e ardhshme do të jetë për energjinë e ripërtërirë dhe financimi i furnizimit me energji këtu dhe agjenda e gjelbër është më e rëndësishme se kurrë me parë. Aktualisht e shohim ndikimin e çmimeve të larta të energjisë në mbarë Evropën dhe kemi kërkesa që po tejkalon ofertën duke pasur pasoja të rënda për aspektet politike-ekonomike. Ky është besimi im që tranzicioni i gjelbër është pjesë e zgjidhjeve afatgjate që duhet t’i gjejmë, tranzicioni i gjelbër në Danimarkë edhe një herë do të përshpejtojë... Mezi pres që të punojmë për së afërmi me qeverinë këtu në Kosovë, me ministrat e juaj, më të vërtetë besoj që mund t’i zgjidhim disa nga çështjet globale vendimtare kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike dhe nevojën për energjinë e ripërtërirë”, tha ai. 

Ministrja Rizvanolli deklaroi se fushat specifike të bashkëpunimit nuk janë definuar në këtë fazë. 

“Fushat specifike të bashkëpunimit apo projektet specifike nuk janë të identifikuara në këtë fazë. Siç e dini edhe ne jemi në fazë kur jemi duke zhvilluar strategjinë dhe nevojat tona do të qartësohen pas disa muajsh kur ta kemi strategjinë. Mirëpo edhe ky duhet të jetë një proces i bashkëpunimit dhe i koordinimit në mënyrë që në ato pika ku ne kemi nevojë dhe nga ana tjetër në ato pika ku Mbretëria e Danimarkës ka përvojë që mund ta ndajë me ne dhe që ka mundësi të na ndihmojë më shumë në këtë proces në ato fusha do t’i definojmë projektet. Tani për tani është shumë herët të flasim për to”, tha ajo. 

Edhe ministri për Bashkëpunim Zhvillimor në Danimarkë, Flemming Moller Morteensen, tha se do të ketë një dialog se në cilat fusha do të bashkëpunojnë të dyja shtetet. 


MË SHUME NGA Lajme