Gjykata serbe legalizon termin fyes për shqiptarët, reagon Çitaku
Nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku ka reaguar pasi Gjykata e Apelit në Beograd ka refuzuar ankesën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, në padinë ndaj ministrit të Brendshëm Aleksandar Vulin për gjuhë të urrejtjes dhe përdorimin e termit fyes për shqiptarët.
“Gjykata e Apelit në Beograd legalizon termin fyes “shiptari” duke refuzuar ankesën e ANMC-së në padinë kundër ministrit të Brendshëm të Serbisë. Kjo është e gabuar në kaq shumë nivele”, shkruan Çitaku në Twitter.
Ndryshe, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa ka bërë të ditur sot se Gjykata e Apelit në Beograd ka legalizuar termin fyes për shqiptarët dhe se ai betejën do ta vazhdojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Edhe Gjykata e Apelit legalizon termin fyes “shiptari” dhe institucionalizon gjuhën e urrejtjes. vazhdojmë në Gjykatën kushtetuese! Gjykata e Apelit ka “refuzuar ankesën si të pabazuar të paditësit dhe vërteton aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Beograd”, në padinë ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vullin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Mustafa.
Një reagim i ngjashëm ka ardhur sot gjatë ditës edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.
“Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur ndaj ministrit të brendshëm Vulin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë. Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë. Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë 'shtëpi e dytë' për shqiptarët. Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si 'fqinjësi e mirë”, ka shkruar ndër tjera Konjufca në Facebook.























