Reduktimet: Rizvanolli fajëson shtrenjtimin, Serbinë e qytetarët
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur në një konferencë për media për krizën e rrymës në Kosovë dhe rifillimin e reduktimeve.
Ajo ka arsyetuar këtë vendim duke thënë se çmimi i rrymës është shumëfishuar.
Për këtë, ajo ka dhënë edhe disa shembuj.
“Në kushtet normale, çmimi ka qenë 69 euro për megavat. Çmimi në kulmin e kërkesës për energji ka qenë 351 euro. Situata është përkeqësuar edhe më tej. Më datë 21 kanë arritur 420 euro për megavat orë për kërkesën bazë. Ndërsa në kohën e pikut, kanë arritur deri në 515 euro. Ka një shtatfishim në krahasim me çmimin normal të energjisë elektrike. Pra vetëm për gjashtë ditë, ka pasur rritje prej 37% për kërkesën bazë”, ka thënë Rizvanolli.
Fajtore e ka lënë edhe Serbinë, e cila sipas saj e ka bllokuar linjën energjetike, shkruan lajmi.net
“Është edhe një faktor i cili ndikon negativisht, e ky është fakti që Serbia ka bllokuar linjën energjetike. Kjo shkakton ngarkesa në rrjete. Si rezultat, ne jemi edhe më të kufizuar se nga mund të blejmë energji. Faktori i katërt që ka ndikuar është konsumi i energjisë më i larti që është regjistruar në vendin tonë. Pardje, konsumi është rritur për 14 për qind krahasuar me vetëm dy ditë më herët. Siç e dini, nga fillimi i këtij viti EMSI e ka konfirmuar pavarësinë tonë energjetike, duke e bërë KOSTT-in të barabartë me atë të çdo shteti tjetër në Evropë”, ka thënë ajo.
Për të arsyetuar vendimin për reduktime, ajo ka thënë se edhe vendet tjera e kanë marrur këtë masë.
“Edhe vende tjera janë duke u përballur me krizën dhe një ndër masat që është duke u ndërmarrë është ndërprerja e energjisë elektrike”, ka thënë ajo.























