Digjet trafo, traumatizohen banorët - një pjesë e Kodrës së Trimave në terr
Reduktimet e energjisë elektrike po shkaktojne telashe të mëdha për qytetarët e vendit tonë në këto ditë të ftohta.
Ndonëse KESCO ka njoftuar për fillimin e reduktimeve nga dy orë në ditë si pasojë e krizës energjetike, qytetarët po ankohen se reduktimet shpesh po janë edhe më të ashpra, derisa në disa vende si pasojë e reduktimeve dhe e ngarkesës së madhe në rrjet po ndodhin edhe prishje të mëdha.
Së fundmi, një e pjesë e lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë ka mbetur pa rrymë po thuajse që 24 orë. Mbrëmjen e kaluar janë djegur kabllot në shtyllën elektrike, me ç’rast ka intervenuar njësiti i zjarrfikësve, teksa sot në orët e pasdites në të njëjtën lagje është djegur në tërsi trafoja.
Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalur policia dhe zjarrëfikësit, teksa këta të fundit kanë bërë shuarjen e zjarrit, duke evituar ndonjë rrezik më të madh. Banorët e kësaj lagjeje kanë treguar për RTKLIVE se tash e 10 ditë kanë probleme të kësaj natyre dhe zhurma që krijon djegia e siguresave të trafos por edhe e kabllove në shtyllat elektrike po i traumatizon.
“Ka 10 ditë që më shumë s’kemi rrymë se sa që kemi. Trafo është e vogël dhe nuk e ka kapacitetin për kaq shumë shtëpi sa janë kyqyr në këtë trafo. Kemi bërë kërkesë që KEDS ta sjellë një trafo të re, por kemi hasur në veshë të shurdhër. Vijnë po thuajse çdo ditë ekipet e KEDS-it e riparojnë gjendjen dhe as gjysmë ore nuk kalon dhe prapë digjet trafoja”, ka treguar Bekim Halimi, banor i kësaj lagjeje.
“Na u kanë traumatizuar fëmijët nga ‘bombardimi’ i përditshëm i kësaj trafoje. Kjo është papërgjegjësi totale. Kur ta pëson dikush atëherë bëhet vonë çdo gjë. Nëse nuk na bëhet një zgjidhje me trafo të re sigurisht se do ta bllokojmë edhe rrugën kryesor për qarkullim, sepse ndryshe me gjasë nuk kuptojnë ata zotërinjtë që janë në kolltuçet e KEDS-it e as të institucioneve”, ka thënë Shpëtim Abdyli, i cili banon përballë trafos së djegur.
Ndërkohë, zyrtarë të KEDS-it kanë pranuar se kanë telashe me këtë trafo, por kanë theksuar se kjo vjen si rezultat i mbigarkesës në rrjetë dhe se ekipet e saj ndodhen në terren.
.























