Abdixhiku: Gjurmët e LDK-së janë të paarritshme për katër dekada
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, vlerëson se gjurmët historike të partisë së tij janë të paarritshme nga partitë tjera për katër dekada me radhë.
“Gjurmët historike të LDK-së janë të paarritshme në katër dekada. Janë të paarritshme gjurmët historike të LDK-së në dekadën e parë në organizim politik të lëvizjes politike, ku programi i LDK-së ka qenë program nacional i shqiptarëve të Kosovës. Është i pashlyeshëm kontributi i LDK-së në procesin e pavarësisë së Kosovës, siç është i pashlyeshëm kontributi i LDK-së në forcimin dhe ndërkombëtarizimin e shtetësisë së Kosovës”.
Abdixhiku, mes tjerash, vlerëson se s’ka parti politike në rajon më të pastër se LDK-ja.
“LDK-ja është trashëgimi e gjithë popullit të Kosovës dhe nuk është pronë politike e një individi”.
“S’ka parti politike në rajon që ka histori më të pastër dhe me më shumë lavdi sesa LDK-ja”.
Abdixhiku, në “Rubikon”, ka folur edhe për ish-themeltarët e partisë, teksa ka treguar për takimet me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Kam pasur kontakt me Rugovën dhe kam qenë i ri. Në kohën e luftës kam qenë 15-vjeçar dhe ka qenë e pamundur me qenë bashkëpunëtor me të. Jam takuar në Riinvest dhe kemi bashkëpunuar dhe me nënën time ka qenë koleg për 30 vjet në Institutin Albanologjik”.
“Besoj që Rugova u përket të gjithëve dhe ka qenë figurë e pazëvendësueshme dhe i pacenueshëm në fitoren e zgjedhjeve, si nacionale si lokale. S’janë vetëm procese elektorale por bashkudhëtime me qytetarët”.
“Kontributi në LDK nuk do të thotë patjetër që duhet të lidhesh individualisht me dikë. Themeltarët e LDK-së kam provuar t’i takoj të gjithë dhe t’i njoh ideologjitë e tyre. Me të gjithë kryetarët kam kontakt normal, por jo kontakt politik”.
“LDK-ja dhe Rugovizmi janë të mishëruar dhe të pandarë. Një person 18-vjeçar mund të hyjë në LDK dhe të ndjekë rrugën e Rugovës brenda partisë, tash që ai s’është më”, tha Abdixhiku.























