Kriza energjetike, Ahmeti: S`iket nga përgjegjësia kur përkeqësohet gjendja
BKT
Lajme

Kriza energjetike, Ahmeti: S`iket nga përgjegjësia kur përkeqësohet gjendja

Ish-kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti ka reaguar lidhur me krizën energjetike në vend për të cilën kryeministri Albin Kurti po i fajëson qeveritë e kaluara.

Ahmeti ka shkruar në Facebook tha se e “qeveritë e kaluara e kanë lënë shumë keq”, por “nuk iket nga përgjegjësia nëse përkeqësohet gjendja”.

“Mungesën e progresit mundesh ta shpjegosh me punën e qeverive të ndryshme 20 vjetët e fundit, por jo edhe regresin! Për që nuk përmirësohet gjendja e dimë që e kanë lënë shumë keq ata tjerët, por që përkeqësohet gjendja nuk iket nga përgjegjësia”, shkruan ai.

Ndryshe, sot Kuvendi i Kosovës ka shpallur gjendjen emergjente të energjisë, e cila do të vlejë në kohëzgjatje prej 60 ditësh.

Masat përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Qeveria ka vendosur po ashtu që të themelojë Komitetin Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, i cili ka për qëllim që të identifikojë dhe paraqesë rekomandime për masat kufizuese.

Masa të tjera kufizuese janë kufizimet mbi aktivitetet komerciale që kanë të bëjnë me burime të caktuara të energjisë, vendosja e kushteve të veçanta komerciale, kufizimi i tregtimit të energjisë ose vendosja e kushteve të veçanta për tregtim.

Masë tjetër është edhe detyrimi për prodhim të energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit dhe vendosja e detyrimeve për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar vetëm në pajtim me kriteret e parapërcaktuara dhe objektivat e sajuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe të miratuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Vendimi i qeverisë parasheh masa kufizuese për 60 ditë, por Kuvendi mund ta vazhdojë edhe për periudha tjera për nga 30 ditë.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar ditë më parë se e ka gjetur shtetin “përtokë që gjakonte në të gjitha anët e tërësisht i papërgatitur për sfidat e shekullit 21”.


MË SHUME NGA Lajme